TIRANË, 27 Janar/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Presidenti i Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës, Gianni Buquicchio, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, do të zhvillojë nesër, ora 13:00, në Hotel Sheraton, një konferencë për shtyp, ku reforma në drejtësi pritet të jetë kryefjalë.
Gjatë ditës së sotme, Kreu i Komisionit të Venecias, Buquicchio ishte i pranishëm në një tryezë për reformën në drejtësi, ku ishin mbledhur krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të institucioneve europiane, opozitës dhe shoqërisë civile, ku u diskutua për nevojën e ndërmarrjes së një reforme të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio u shpreh se nëse të gjitha partitë do të bashkohen mbi parimet e ndershmërisë, efektet e dekriminalizimit do të ndjehen menjëherë". Nga ana tjetër, ai deklaroi se opozita duhet të ushtrojë në mënyrë konstruktive të drejtën e saj të opozitarizmit, pasi bllokimi i parlamentit është mosfunksionim i opozitës. "Nëse partitë politike do të zgjedhin kandidatë pa probleme, atëherë dekriminalizimi do të ketë efekte", tha ai.
Sipas tij, "parlamenti i ndarë ngadalëson reformat". "Kushtetuta juaj është produkt ndërkombëtar ndonëse është përgatitur me ndihmën e Komisionit të Venecias. Funksionimi demokratik është penguar nga konflikti politik. Partitë opozitare mund të kërkojnë ndryshime në ligj, por deri sa të bëhen ato duhet të respektojnë ligjin aktual. Duhet ndërtim i një uniteti kombëtar rreth institucioneve dhe dekriminalizimit të parlamentit," theksoi Buquicchio./m.m/