Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj
TIRANË, 27 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi sot myslimanët shqiptarë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
"Nesër është dita e parë e këtij muaji të Bekuar dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit. Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore.Në këtë muaj të begatë shtohet dashuria për njëri-tjetrin dhe në veçanti në zemrat e besimtarëve mbizotëron dëshira e faljes së gabimeve dhe sjellja me butësi e urtësi. Agjërimi i Ramazanit i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj Zotit të botëve", theksohet në mesazhin e urimit të Bruçaj.
Kreu i Komitetit Mysliman, Bruçaj shprehet se "le të jetë ky muaj i bekuar muaji i përkushtimit drejt njohjes thellësisht të mesazhit hyjnor, i përfaqësimit të vlerave islame. Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin dhe vëmendjen që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin dhe përkushtimin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që në këtë muaj të begatë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare.
"Muaji i Ramazanit është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit shpirtëror, drejt përqafimit të vlerave Islame. Le të jetë ky muaj i begatë një mundësi më shumë për një përkushtim dinjitoz drejt fitimit të Kënaqësisë së Zotit. Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë kudo që ndodheni në Shqipëri dhe jashtë saj, ju uroj përzemërsisht gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit duke ju uruar shëndet, paqe, dhe begati në familjet tuaja dhe në mbarë shoqërinë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët", përfundon mesazhi i urimit i Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj./k.s/