TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu ka kthyer përgjigje të gjithë akuzave të opozitës, duke thënë se kreu i ri i SPAK nuk zgjidhet as nga qeveria e as nga ambasada, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që është një organ i ri drejtësisë krejtësisht i pavarur. Skenarëve që flasin se qeveria po ndërhyn për të zgjedhur kandidatin e saj në krye të SPAK, kreu i qeverisë i ka cilësuar si thashetheme që vijnë nga “foltorjavulorjafallgjorja”, që i referohet 2 palëve të PD-së si edhe Partisë së Lirisë.

“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik!  Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet”, shkruan Rama.

Ndërkohë që vetë ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim deklaroi sot se ka takuat një e nga një të gjithë, anëtarët e KLP-së, Rama ka një mesazh të drejtpërdrejtë për ta. Kreu i qeverisë thotë se anëtarët e KLP-së nuk duhet të dëgjojnë askënd e të mos influencohen nga askush për përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK, por të shikojnë dhe të vlerësojnë kandidaturat në mënyrë profesionale pa asnjë ndikim të jashtëm.

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, tha Kim.

 “Anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, u përgjigj më tej kreu i qeverisë.

Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet në datën 16 dhjetor dhe 3 janë prokurorët në garë, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar.

Si zgjidhet kreu i SPAK?
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas nenit 148/dh, pika 3, të Kushtetutës, emërohet me shumicë votash nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreu të SPAK-ut është 3 vjet dhe nuk ka të drejtë që të rizgjidhet për një mandat të dytë. Arben Kraja përfundon mandatin në datën 19 dhjetor. Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite.

Cili prej tre kandidatëve në garë ka shansin të zgjidhet kreu i ri i SPAK?
Një ndarje korrekte do të ishte triumfi me 6 vota nga 11 në total të anëtarëve të SPAK, siç Arben Kraja mundi të fitonte në 2019-ën. Por në kushtet e tre kandidatëve në garë ky kombinim nuk është i lehtë, edhe pse jo i pamundur. Tre kandidatët tashmë duhet të shtrijnë influencën e tyre tek KLP, teksa u duhet të bindin anëtarët e kësaj të fundit për vota. Nuk ka një ndarje perfekte për emrin favorit, gjithçka pritet të qartësohet në ditët në vijim, por surpizat nuk përjashtohen.

Cilat janë kompetencat e kreu të SPAK?
Kreu u SPAK është më shumë një administrator i institucionit dhe nuk ka asgjë në dorë të ndikojë mbi dosjet. Ai nuk mund t’i japë udhëzime një prokurori për hetimet. Kjo është e ndaluar me ligj. Por, kreu i SPAK-ut u cakton çështjet prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre, koordinon punën e agjencitë dhe institucionet e tjera, paraqet buxhetin për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit në Kuvend, paraqet në KLP raportin vjetor të punës së SPAK-ut, thërret në mbledhje prokurorët e posaçëm, nxjerrë vetëm udhëzime të përgjithshme pa ndërhyrë në hetime për SPAK-un dhe Byronë e Hetimit si dhe miraton rregulloret e firmosura nga drejtori i Byrosë së Hetimit. Gjithashtu, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i jep ‘ok’ kreu të Byrosë për emërimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Edhe gjatë mbledhjeve të SPAK-ut, kryeprokurori ka të drejtë vetëm të japë mendime dhe të diskutojë. Kreu i SPAK-ut jep mendime për rregulloren e brendshme administrative të organizimit të SPAK, lidhur me përshkrimet e punës të të gjitha kategorive të nëpunësve civilë, për ngritjen e komisioneve të brendshme sipas nevojës, mbi projektbuxhetin si dhe diskuton çdo çështje tjetër me rëndësi për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:19
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, mesazhi i Kim: Pa frikë e favor do luftojë korrupsionin e krimin! Drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dhënë një mesazh për kreun e ri të SPAK që të luftojë korrupsionin e krimin pa u frikësuar dhe pa u ndikuar nga favoret. Në një postim në Tëitter, Kim shkruan se drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit dhe institucionet duhet të jenë të pavarura.

Po ashtu shkruan se SHBA mbështet reformën në drejtësi ndaj do të monitorojnë nga afër procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK që do të mbahet më 16 dhjetor. Kim thekson se nuk do të ndryshojë zbatimi i reformës në drejtësi, që sipas saj nuk është vetëm kërkesë për anëtarësimin në BE por kërkesa e drejtë e popullit shqiptar.

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.

Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkroi Kim në Twitter.