Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës. Nëpërmjet këtij institucioni që do të jetë në varësi të kryeministrit, synohet promovimi i inovacionit dhe angazhimi i ekselentëve në zbatimin e teknologjive të përparuara.
Kjo pritet të realizohet nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të politikave në bashkëpunim me ministritë përkatëse.
Në vendim thuhet se agjencia pritet të ketë selinë në Tiranë ku do të organizohen programe dhe aktivitete duke ofruar mbështetje për operatorët publikë dhe privatë në fushën e inovacionit.
Po ashtu, pritet bashkërendimi i punës për projektet dhe iniciativat e institucioneve në nivel kombëtar në fushat e inovacionit e të ekselencë dhe të lidhë marrëveshje me institucione, organizata dhe organizma të tjerë.
Përgjegjësitë e agjencisë, sipas vendimit të qeverisë:
a) Në bashkëpunim me ministritë e linjës, agjenci apo ente publike, zhvillon dhe implementon iniciativa, programe, projekte dhe politika në fushën e inovacionit;
b) Identifikon koncepte novatore, procese dhe teknika të reja për inovimin e shërbimeve publike dhe të administratës publike;
c) Asiston ministritë, agjencitë apo entet publike me njohuri të veçanta dhe ekspertizë për identifikimin e problematikave komplekse dhe propozimin e zgjidhjeve sistematike e inovatore;
ç) Merr pjesë në përgatitjen e akteve rregullatore, ligjore e nënligjore, për zhvillimin e fushave të inovacionit, si dhe jep mendim të detyrueshëm për institucionet publike për hapjen dhe funksionimin e entiteteve që operojnë në fushën e inovacionit dhe ekselencës, me qëllim zbatimin efektiv të politikave, projekteve dhe iniciativave në këto fusha;
d) Përmes iniciativave të ndryshme nxit dhe i propozon ministrive të linjës, agjencive apo enteve publike modernizimin e shërbimeve të administratës publike dhe përfshirjen e ekspertëve më të mirë në administratën publike.