Krijohet Aleanca e Grave Këshilltare
të Tiranës me gjithëpërfshirje politike

Aleanca e Grave Këshilltare të Tiranës konfirmon  se është zyrtarizuar kjo aleance e cila  pritet të prezantohet nesër, sipas nje  njoftimi që mban emrin e  kryetarës së Aleancës, Klotilda Ferhati Bushka.

Në njoftim bëhet e ditur se “Vendosja e kuotës gjinore 50% për gratë në zgjedhjet e fundit lokale, ka shënuar për herë të parë një arritje të rëndësishme në historinë e përfaqësimit të grave në politikën shqiptare, duke përbërë 51% të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pra shumicën e anëtarëve. Pas dy muaj dialogu dhe konsultimesh, gratë këshilltare të Tiranës nga të gjitha partitë politike (PS, PD, LSI, PDIU dhe FRD), morën iniciativën për të krijuar një grupim informal, të quajtur Aleanca e Grave Këshilltare të Tiranës (AGKT)”.

Qëllimet kryesore të AGKT janë, së pari, për të mbështetur dhe ndihmuar fuqizimin ekonomik të grave të Tiranës dhe për t’i asistuar ato me adresimin e problemeve sociale me të cilat hasen çdo ditë, përmes politikave të ndryshme, aksioneve, mekanizmave, iniciativave dhe aktiviteteve dhe së dyti, për të forcuar aftësitë dhe kapacitetet e vetë grave këshilltare. AGKT shpreson se ky model do të ndiqet nga gratë këshilltare të këshillave bashkiake të qyteteve të tjera në të gjithë vendin.

Eventi prezantues i Aleancës së Grave Këshilltare të Tiranës do të mbahet më datë 3 shkurt 2016 ora 10.30, në Hotel Tirana International. Ky aktivitet dhe procesi i krijimit të AGKT lehtësohet nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë / CRCA Shqipëri, në kuadër të programit “Tirana: Qyteti im-Zëri im”. Ai mbështetet nga Olof Palme International Centre me financim të Qeverisë Suedeze. ATSH

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Medalistët serbë të Paris 2024, festojë me këngë nacionaliste për Kosovën