Krijohet Super-Agjencia/ Gjithë 
tenderat në duart e Xhafës
Mbrojtjes i lejohet të blejë veshmbathjet

Krijohet Super-Agjencia/ Gjithë <br />tenderat në duart e Xhafës<br />Mbrojtjes i lejohet të blejë veshmbathjet<br /><br>
Nëpërmjet një vendimi të ditës së sotme Këshilli i Ministrave vendosi krijimin, organizimin dhe funksionimin e agjencisë së blerjeve të përqendruara.

Një gjë e tillë, do të thotë, se të gjitha blerjet mbi limitin e blerjeve të vogla, do t’u hiqen ministrive dhe institucioneve të varësisë dhe do të përqëndrohen në duart e ministrit të Brendshëm fatmir Xhafaj.

Sipas vendimit Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në vijim “Agjencia”, organizohet dhe funksionon si institucion qendror, person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Brendshëm.

Kjo Agjencia, si organ qendror blerës, në bazë të VKM-së është e autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.

Agjencia ka buxhetin e vet, i cili është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.

Modeli nga ku është frymëzuar qeveria shqiptare për këtë përqendrim të blerjeve të mëdha në duart e një institucioni të vetëm duket se është Consip-i italian dhe qëllimi është që nëpërmjet blerjeve me shumicë, të ulet kostoja për njësi, duke i bërë kështu më efektive blerjet publike, duke i kursyer para buxhetit të shtetit, gjë që do të ishte më e vështirë për t’u realizuar, në rastet kur secili shërbim blihet veçmas nga çdo institucion.

Në ueb-sjatin e Consip-it italian, modeli i të cilët tashmë do të aplikohet edhe në Shqipëri, thuhet se ajo është një shoqëri aksionere, ku aksionet i zotëron 100% Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në shërbim ekskluziv të Administratës Publike.

Misioni i shoqërisë është që t’i bëjë më efikase dhe transparente përdorimin e burimeve publike, duke i vënë në dispozicion administratës instrumente dhe kompetenca për të administruar blerjet e tyre dhe duke stimuluar kompanitë private që të jenë konkurruese me sistemin publik.

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara planifikon dhe kryen procedurat e prokurimit për mallrat dhe shërbimet e mëposhtme, duke filluar nga data 1 janar 2019:

a) Riparim, mirëmbajtje e sistemit ngrohje-ftohje; b) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh; c) Mirëmbajtje impiantesh elektrike; ç) Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike; d) Blerje artikujsh ushqimorë; dh) Blerje pajisjesh kondicionimi; e) Shërbim gjelbërimi; ë) Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

Sipas vendimi Ministria e Mbrojtjes lejohet t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse  të tyre, blerje këpucësh.

Gjithashtu edhe Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë lejohen të realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekt “Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh”. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar këtë të mërkure, kjo agjenci ngarkohet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve si më poshtë:

1.1. Blerje automjetesh;

1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;

1.3. Blerje materialesh kancelarie;

1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;

1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;

1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;

1.7. Blerje këpucësh;

1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;

1.9. Blerje tonerash;

1.10. Sigurim automjetesh;

1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;

1.12. Shërbim pastrimi;

1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;

1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;

1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;

1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;

1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;

1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;

1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;

1.20. Shërbime dezinfektimi;

1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;

1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;

1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;

1.24. Shërbim gjelbërimi;

1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024