Një krim në familje është zbuluar sot në Shkodër, ndërsa ngjarja mendohet se ka ndodhur tre ditë më parë. Autori është 79-vjeçari Fadil Bandulla i cili ka vrarë me automatik gruan, 83-vjeçaren Sanije Bandulla e më pas ka vrarë dhe veten.
Ngjarja është regjistruar në lagjen “Ahmet Haxhia” dhe dyshohet të ketë ndodhur pasditen e së dielës, pasi policia ka marrë dëshmi të disa personave që kanë dëgjuar të shtëna me armë pikërisht në lagjen ku u gjetën të pajetë dy të moshuarit.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë bërë denoncimin në polici pasi nuk i kishin parë të moshuarit prej 3 ditësh, ndërsa trupat u gjetën të pajetë në banesën e tyre.
Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarja, ndërsa mësohet se çifti i të moshuarve kishin patur konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Ata jetonin vetëm, ndërsa ishin prindër të një vajze e cila jeton në SHBA.
Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka nisur hetimet për sqarimet e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.