Zgjedhjet vendore të vitit 2023, ngjashëm me proceset zgjedhore të mëparshme të mbajtura në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, u shoqëruan me një lumë akuzash dhe kundër-akuzash për krime zgjedhore, kryesisht nga opozita në drejtim të Partisë Socialiste në pushtet.
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore është vepra penale që zë peshën më të madhe të procedimeve në fushën e krimeve zgjedhore, ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me krimet elektorale të hetuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Nga të dhënat e analizuara nga BIRN, rezulton se përgjatë vitit 2023 janë regjistruar 25 procedime për çështjet në fushën zgjedhore, ku kanë qenë 19 të pandehur.
Pavarësisht numrit relativisht të lartë të procedimeve, vetëm 2 procedime penale janë dërguar në gjykatë me 14 të pandehur dhe prej tyre vetëm 2 janë dënuar.
Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor, të depozituar në Kuvend, thekson faktin se “mund të bëhet shumë më tepër për sa i përket krimeve në fushën zgjedhore”.
Kryeprokurori Olsian Çela, gjatë raportimit para deputetëve më datë 15 Korrik, pohoi se ky është “një shqetësim që jam munduar ta trajtoj si në analizat vjetore të prokurorive të rretheve, por edhe në kontributin për sa i përket mbështetjes që u kemi dhënë organizatave të ndryshme që kanë bërë studime të thelluara në lidhje performancën e prokurorisë duke asistuar ata dhe duke u përpjekur që rezultatet dhe gjetjet t'i bëjmë pjesë të analizave të punës dhe përmirësimit”.
Por përveç Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, krimet zgjedhore hetohen edhe nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Të dhënat e SPAK flasin për 50 procedime penale, me 17 persona të hetuar gjatë vitit 2023 për krimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Gjatë të njëjtit vit 8 procedime penale janë dërguar për gjykim nga SPAK me 16 të pandehur, janë dorëzuar në gjykatë 6 kërkesa për pushim, 2 janë transferuar, një është pezulluar dhe një procedim është bashkuar. Ndërkohë, 32 procedime penale janë mbartur për vitin 2024.
Shumë hetime, pak të dënuar
Ajo që bie në sy nga statistikat e dy institucioneve, është hendeku mes çështjeve që hetohen dhe të dënuarve. Ky shqetësim është ngritur edhe nga partitë politike opozitare, të cilat shpesh herë kanë hedhur akuza ndaj organit të akuzës se po amniston zyrtarët që kryejnë krime zgjedhore.
Për avokatin Indrit Sefa, i cili ka mbajtur dhe postin e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, në kohën kur vula dhe logo kontrolloheshin nga Lulzim Basha, problematika qëndron tek fakti që “kallëzimet penale që bëhen nga partitë politike janë kallëzime që lidhen me fakte penale që nuk kanë provueshmëri në momentin e bërjes së kallëzimit”.
Sefa shton se partitë politike nuk janë prokurori që të hetojnë dhe të gjejnë prova, por sipas tij në shumicën e rasteve edhe kanë administruar prova që i kanë depozituar në prokurori.
“Fakti është që është me mbarimin e procesit zgjedhor bie dhe aktualiteti i ndjekjes penale të këtyre veprave, normalisht dhe prokuroritë nuk janë më të vullnetshme për ndjekjen e veprave penale që e kanë humbur aktualitetin, apo nuk sjellin një rrezik të vazhdueshëm”, shprehet avokati duke shtuar se organi i akuzës pavarësisht kohës, duhet të hetojë krimet zgjedhore që në këtë mënyrë edhe çështjet të mos zvarriten.
Por kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin para deputetëve më 15 Korrik, i cilësoi të kënaqshme statistikat e institucionit që ai drejton, për sa i takon krimeve zgjedhore.
“Këta janë tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e prokurorisë së posaçme në raport me hetimin e krimit zgjedhor,” tha Dumani.
“Janë tregues ndoshta modestë, por tregojnë që prokuroria e posaçme ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre”, shtoi ai.
Nga ana tjetër Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela pohoi se çështjet e krimeve zgjedhore po trajtohen me seriozitet dhe u është kërkuar më shumë punë prokurorive të rretheve “për proaktivitetin, thellimin e hetimeve, rritjen e cilësisë së tyre, koordinimin me Prokurorinë e Posaçme dhe policinë gjyqësore për të pasur rezultate konkrete”.
Problemi me ligjin
Kodi Penal ka një gamë mjaft të gjerë të veprave penale që lidhen me krimet zgjedhore dhe përcaktojnë qartë faktin se çfarë mund të përbëjë vepër penale. Veprat penale shtrihen që nga administrimi i zgjedhjeve deri te korrupsioni aktiv në zgjedhje dhe ushtrimi i funksionit publik për qëllime elektorale. Tashmë hetimet kryhen si nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm por dhe nga SPAK.
Avokati Indrit Sefa është i mendimit se “kuadri ligjor është i plotë”. Problematika sipas tij qëndron tek ndarja e kompetencave të hetimit ku shpesh herë krimet zgjedhore hetohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe jo nga SPAK, që është një institucion më i besueshëm.
Sipas tij, “të gjitha krimet që lidhen me çështjet zgjedhore duhet të hetohen nga prokuroria e posaçme duke u bërë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme”.
Po ashtu, Sefa është i mendimit se për krime të kësaj natyre duhet të ketë një hetim më të shpejtë.
“Krim elektoral nuk është vetëm korrupsioni në zgjedhje, por janë dhe veprimet që bëjnë individët që merren me administrimin e zgjedhjeve,” theksoi Sefa.
“Janë vepra penale që kryhen dhe ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve”, shton ai.
Drejt një strategjie të re
Problematikat e shfaqura gjatë hetimeve dhe ankesat nga forcat politike kanë sjellë nevojën e një strategjie të re për të hetuar dhe dënuar krimet zgjedhore. Si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe ai i Prokurorisë së Përgjithshme, flasin për nevojën e shtimit të vëmendjes për veprat penale që lidhen me zgjedhjet.
Olsian Çela gjatë raportimit në Kuvend, siguroi deputetët se “nga ana jonë do të nxitet proaktiviteti në lidhje me nisjen kryesisht të hetimeve”, por shtoi se “në raste kur ka denoncime publike mbetet në vendimmarrjen e secilit prokuror për të nisur ose jo një procedim penal”.
Ndërsa Altin Dumani, drejtuesi i SPAK, informoi edhe njëherë ligjvënësit se janë duke punuar për një strategji të re për të hetuar krimet zgjedhore.
“Strategjia do të bëhet publike në muajin janar të vitit 2025 dhe synimi ynë është që fillim të vitit 2025, ne si institucion të kemi krijuar infrastrukturën e nevojshme njerëzore por edhe mjetet e nevojshme teknike, me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, pohoi ai.
Dumani gjatë një seance maratonë me pyetje përgjigje shpjegoi se SPAK, shumë shpejt mund të ketë dhe seksione të saj në rrethe për të hetuar dhe krimet zgjedhore./BIRN