Krimi, Hysi: Duhet një Kod i ri Penal
Luarasi: Të rritet ndihma për gratë

Krimi, Hysi: Duhet një Kod i ri Penal<br />Luarasi: Të rritet ndihma për gratë
TIRANE- Ndonëse Kodi Penal ka pësuar një sërë ndryshimesh më të fundit, këto të bëra vetëm pak muaj më parë në Parlament, nuk kanë sjellë uljen e numrit të krimeve, përkundrazi vetëm në një javë 3 femra kanë mbetur viktima.
 
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, njëherësh anëtare e Komisionit të Ligjeve e cila ka punuar për ndryshimet në Kod, është shprehur se do të ishte e nevojshme për një Kod të ri Penal pasi sipas saj amendimet e herë pas hershme kanë krijuar zhballancim te masave te dënimit.

“Politika penale e orientuar ka qenë e gabuar. Nuk mund të shihet si zgjidhje e vetme ashpërsimi i dënimit me burgim, aq më tepër kur nuk parandalohen faktorët që shtyjnë krimin në familje, si juristët që kemi nevojë për një Kod të ri Penal, pasi ndërhyrjet në Kod Penal janë aq të shumta saqë kanë prishur balancën midis peshës që ka rrezikshmëria shoqërore e një vepre dhe dënimeve të dhëna. Dhe padyshim këtu, rolin kryesor e ka policia, por jo vetëm policia sepse duhet të shkundet drejtësia. Ka nevojë që drejtësia të funksionojë, por dhe një sërë institucionesh të tjera”, tha Hysi.

Ndërsa ka berë apel instiucioneve që në këtë fazë tranzicioni të ushtrojnë detyrën e tyre, Hysi ka shtuar se Partia Socialiste do të ndërmarrë masa parandaluese, të cilat janë mjaft të rëndësishme për uljen e kriminalitetit.

“Policia duhet të veprojë fuqimisht për të parandaluar, sidomos rastet e vjedhjes me dhunë, meqë është një periudhë e turizmit, është periudhë pushimesh. Nuk duhen nënvlerësuar denoncimet që mund të bëjë një grua ose një qytetar tjetër. Reforma në fushën penale është një reformë gjithpërfshirëse. Ne do të nxisim raportim real të krimit dhe bërjen publike të shifrave reale të krimit. Krimi që ne sot kemi të deklaruar publikisht nuk është në shifra reale”, përfundoi deputetja e PS, Hysi.


Drejtoresha e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza, Iris Luarasi, tha se në 6 muajt e fundit kanë mbërritur rreth 800 telefonata që denoncojnë dhunën në familje. Sipas Luarasit, shteti jo vetëm duhet t’i ndjekë hap pas hapi këto çështje, por duhet të japë mbështetje më të madhe social-ekonomike.

“Arsyet që pse ndodh krimi në familje vijnë për shumë arsye. Ka arsye xhelozie, ka arsye të përdorimit të drograve dhe të alkoolit, ka arsye të varfërisë së tejskajshme ekonomike që ka vendi aktualisht. Është niveli i shtuar i stresit në një moment që gruaja është viktimë e dhunës në familje ka nevojë për situate emergjence dhe do ndihmë emergjente. Unë nuk mendoj se ndihma ekonomike që jepet nga pushteti vendor prej 4 mijë lekësh të reja është e mjaftueshme që një grua që është viktimë e dhunës në familje të mbajë veten, aq më shumë të mbajë dhe fëmijët, sepse shumica e këtyre grave janë gra të martuara që kanë edhe fëmijë me vete.

Patjetër që duhen bërë ndryshime nga pikëpamja e shërbimeve sociale që duhet të marrin viktimat e dhunës në familje. Bota e zhvilluar padiskutim që i’u ofron atyre jo vetëm strehim, por edhe një mbështetje shumë më të madhe financiare në mënyrë që ato të kenë kurajo dhe ti thonë stop dhunës në familje, të largohen nga ambienti abuziv në të cilin jetojnë dhe të fillojnë një jetë të pavarur në momentin që marrëdhënia e tyre nuk funksionon”, u shpreh Luarasi për mikrofonin e A1 Report.

Po kështu, Luarasi ka bërë apel që mediat të mos fshehin rastet e dhunës dhe krimit, por t’i publikojnë ato, pasi vetëm kështu do të mund të sensibilizohet popullata dhe mund të ndihmojnë në parandalimin e këtyre krimeve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

‘Portat e Ferrit’ të Turkmenistanit, një mister që po mahnit vizitorët e Azisë Qendrore

‘Portat e Ferrit’ të Turkmenistanit, një mister që po mahnit vizitorët e Azisë Qendrore