Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten e tij 75-vjeçare Dashuri Rrapaj dhe më pas veten, duket se situata në banesën e çiftit mbetet e tensionuar.
Gjatë nxjerrjes së trupit të Shefit Rrapaj ka mbizotëruar një atmosferë tejet e tensionuar, për shkak të reagimit dhe përplasjeve të shkaktuara nga të afërmit e Dashurisë.
Ndërkohë motra e Dashurisë është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, në gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore.
Nga ana tjetër, një grua që ishte prezente në vendngjarje ka deklaruar për Report TV se ngjarja ishte e paralajmëruar, pasi 3 ditë më parë kishte pasur një konflikt mes çiftit.
“Në raportin e Policisë 3 ditë më parë, është konstatuar se ka pasur një konflikt familjar”, ka thënë për Report TV një banore e zonës.
Ndërkohë, një komshi ka deklaruar se të moshuarit që mbetën viktima ishin të respektuar në zonë dhe nuk kishin pasur probleme me njerëz të tjerë aty.
“Ishte nja nga gratë e rralla. Unë e respektoja tamam si motrën time. Tani sesi ndodhi nuk e di. Shefiti nuk e di. Alkool nuk konsumonte. I vetmi burrë që nuk konsumonte alkool. Mbase ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë qenë problemi. Ai ishte një nga djemtë më të urtë në zonë. Kur ndodhi ngjarja isha andej nga bagëtitë e mia. Janë të ardhur këtu në fshat, kanë mbi 20 vite. Kur i kam njohur, komshinjtë më të mirë që kisha. Sidomos zonjën, e kisha tamam si motrën time. Jetonin të dy vetëm. 9 fëmijët i kishin në emigracion”, tha një komshi i çiftit.
Po ashtu, edhe për një të afërm të çiftit, Shefiti dhe Dashuria nuk kishin pasur më parë probleme me njëri-tjetrin. Ndërkohë ka dyshime të banorëve të zonës se djali i vogël i çiftit mund të ketë qenë shkak i konfliktit në familje, por këto pretendime ende janë të pavërtetuara.
“Ata kanë kaluar mirë. E mora vesh ngjarjen përmes televizorit. Ata kanë kaluar mirë. Ishin andej lartë nga malësia dhe erdhën këtu më pas. Kanë 9 fëmijë, një këtu dhe 8 në Greqi. Di që ishin familje e rregullt. Nuk e di nëse ka qenë konflikt i çastit apo çfarë kanë pasur”, tha një i afërm i viktimave.
Lajmi kryesor:
Roskovec/ Krim në familje, burri vret me pushkë gruan dhe më pas veten! Tensione dhe përplasje gjatë marrjes së trupave të viktimave











