Ish-kryeministri Sali Berisha u kap me gazetarët pasi doli nga SPAK, ku u pyet për 2 orë për krimin shtetëror të 21 janarit. Gazetarët po insistonin me pyetjen se kush e dha urdhrin për të qëlluar në drejtim të protestuesve, por Berisha i pyeti nëse po bëjnë punën e prokurorit.
Ndërkohë, mbrojti edhe Gardën duke thënë se ka vepruar sipas ligjit. Berisha mohoi të ketë dhënë urdhër që të qëllohej në drejtim të protestuesve.
Gazetarja: Nga brenda godinës u vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Kush e dha urdhrin?
Berisha: Absolutisht gënjeshtër me bisht kjo që thua. Jo nga brenda, meqenëse u referohesh medieve, merr filmimet. Ushtarët e Gardës kanë qëlluar, jo nga brenda.
Gazetarja: Nga godina e kryeministrisë.
Berisha: The nga brenda, korrigjo këtë. The një gënjeshtër, sepse nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vendrojet e rojet e gardës.
Gazetarja: Kush e dha urdhrin?
Berisha: A po bën punën e tyre ti, apo tënden?
Gazetarja: Po bëj punën e gazetarit.
Berisha: Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë. Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër. Vazhdove persistove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës. Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër.
Lajmi kryesor:
21 janari/ Berisha pyetet 2 orë në SPAK dhe mbron krimin shtetëror: Kur ka dhunë, ka edhe vrasje












