TIRANE - Emisioni “Urbanika” në Tv A1 Report ka investiguar regjistrimet pranë universtitet “Kristal” në Tiranë, ku ka rezultuar se në kundërshtim me vendimin e Apelit, vijojnë regjistrimet për degët Menaxhim Biznes e Sociologji. Rregjistrimet janë pezulluar nga Apeli në degët Menaxhim Biznes e Sociologji.

Gjykata e Apelit ka rrëzuar aktin e Kryeministrit për pezullim të licencës së universitetit "Kristal" por pezulloi regjistrimet në dëgët e Menaxhim Biznesit dhe Sociologji. Ndryshe nga vendimi i Gjykatës së Apelit, me gjyqtari Artan Brocin vijojnë normalisht regjistrimet në këto degë pranë universitetit “Kristal”. Emisioni “Urbanika” vërteton se në universitetin “Kristal” vijojnë rregjistrimet në Menaxhim Biznes dhe Sociologji.

Kërkesa e Këshillit të Ministrave për pezullimin e licensës të universitetit “Kristal” erdhi pasi u zbulua skandali se Renzo Bossi mori diplomë false në degën e Menaxhim Biznesit në këtë universitet privat. Më 28 shtator Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë universitetit "Kristal" për nisjen e regjistrimeve të studentëve të rinj për vitin akademik 2012-2013, duke hedhur poshtë vendimin e Këshillit të Ministrave, për pezullimin e licencës, pa të drejtë regjistrimi të studentëve të rinj, për një periudhë një-vjeçare në të gjitha degët dhe programet që ofron ky institucion i arsimit të lartë privat.

REKTORI I KRISTAL: PASAKTESI, NUK I OFROJME ATO SHERBIME
Në një prononcim për televizionin A1Report, pas publikimit të lajmit se vijojnë regjistrimet në degët e Menaxhim Biznesit dhe Sociologjisë, rektori i universitetit privat “Kristal”, Leontiev Çuçi deklaroi se ky informacion ka qenë një pasaktësi e sekretares, dhe se universiteti nuk ofron shërbime për dy degët e lartpërmendura.

PEZULLIMI I LICENCES

Më 23 maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi t'i pezullojë regjistrimet e reja, për një periudhë një vjeçare universitetit "Kristal". Vendimi u mor pas zbulimit të skandalit nga mediat italiane, se së paku dy shtetas italianë kishin marrë diplomë universitare nga kjo shkollë e lartë, pa shkelur asnjëherë në Shqipëri dhe pas verifikimeve të një grupi ekspertësh të ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët konstatuan shkelje të shumta, ndaj i propozuan qeverisë t'i pezullojë licencën.

Në gjykatën e shkallës së parë, beteja gjyqësore ka nisur më 29 qershor 2012, dhe universiteti "Kristal" ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të qeverisë, deri sa të përfundojë shqyrtimi i plotë të çështjes, ku ai ka paditur Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Por, Gjykata e Shkallës së Parë, nuk e pranoi këtë kërkesë të "Kristalit" dhe në mes të muajit korrik filloi shqyrtimin e çështjes.

Sipas gjykatës, kundër vendimit lejohet ankim i veçantë sipas ligjit në Gjykatën e Apelit. Kështu më 28 shtator. Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimin e Këshillit të Ministrave për pezullimin e licensës së universitetit “Kristal”.

VIDEO NGA INVESTIGIMI I GAZETARIT TE EMISIONIT URBANIKA NE TV A1REPORT