Drejtori i Tetarit të Komedisë është shprehur konkretisht se “ka aktorë që dalin në skenë një herë në dhjetë vjet, por ka tjerë që prej 6 vitesh nuk janë ngjitur në atë skenë, siç ka edhe të tjerë që kanë mbushur moshën e pensionit e s’denjojnë t’u lënë vendin më të rinjve”. Problemin Çipi e lidh me pagat që jepen rregullisht në këto raste, ndërsa ka theksuar se “Paga mujore e një aktori të tillë është rreth 85 mijë lekë”.
Cipi e ka quajtur paradoks faktin që aktorët e Teatrit të Komedisë marrin paga dhe shpërblime më të ulëta, sepse sipas tij “ky teatër ku pagat janë më të ulëta, ka pasur 4 premiera, 76 shfaqje, 11,400 shikues dhe 2,3 milion lekë të ardhura nga shitja e biletave, të katër këta tregues janë më të lartë se ata të Teatrit Kombëtar”.
NË PRITJE TË TRANSPARENCËS ZYRTARE
Ndërsa kemi pritur një përgjigje konkrete të Drejtorit të TK-së për këto akuza, nuk kanë munguar komentet në web-in e gazetës ndaj këtij artikulli, por askush nuk ka guxim të shkruaj emrin. Njëri komentuesve, përkundër mungesës së guximit për të shkruar emrin thotë: “Të lumtë goja që merr guximin të flasësh. Si mund të përfitohet kështu qyl, meqë dikush ka qenë dikushi 10 vjet më parë?”.
Ndërsa A.K shprehet për Çipin se “më bëhet qejfi që pas 16 vjetësh erdhe në vijën e "revolucionit" tonë artistik të vitit 1998, kur Edi Rama dhe unë, iu thamë palaçove të TK-së, (të paktën 50 % prej tyre) se ishin gjirizi i këtij komuniteti, dhe se vegjetonin si këllira në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Ky popull ende nuk e ka kuptuar qe ata lloj këllirash deri ne vitin 1999, përveç pagës si vegjetues, merrnin edhe 90 % të të ardhurave të biletave, d.m.th. në kurriz të popullit më të varfër te Europës, nuk mjaftonte paga”. Ku mund ta gjejmë se cilat janë listat e atyre që paguhen kot, kur siç thotë Kastriot Cipi “aktorët përgojojnë kafeneve, por kanë frikë të flasin”.
Drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, jo vetëm që nuk jep listën e borderove për të sqaruar, por nuk jep as listën e emrave të aktorëve më të paguar, nga 32 aktorë që paguhen me rrogë në TK. Një listë e thjeshtë borderoje vallë do të përgënjeshtronte akuzat, apo do të vërtetonte ato, ende sa pa shpërthyer protestat e artistëve.
Zoti Skrami, para dy ditësh në një intervistë për “Shqiptarja.com”, drejtori i Teatrit të Komedisë ka deklaruar se “Teatri Kombëtar ka aktorë që marrin rroga pa u ngjitur 10 vite në skenë...
Këtu ka diçka që nuk shkon, një institucion i sapokrijuar po hedh sa më shumë baltë në Teatrin Kombëtar. Ajo që dua të replikojë është mënyra sesi menaxhohen të dyja institucionet, meqë zoti Kastriot Çipi ka shumë vërejtje për institucionin e Teatrit Kombëtar. Natyrisht, pa bërë historinë e tij dhe pa iu kundërvwnw historisë së Teatrit të Komedisë, ju kujtoj se Teatri Kombëtar është një ndër institucionet e vetme artistike që promovon prej katër vjetësh kulturën shqiptare në Europë.
Prej vitesh është anëtar në festivale në festivale botërore dhe europiane. Në Bienalen e Bonit, që me pjesëmarrjen e parë, ky teatër u cilësua dhe u vlerësua me çmimin e parë të këtij festivali prestigjioz. Dhe, të vlerësohesh nga një juri prej 13 kritikësh nga e gjithë Europa nuk është pak. Zoti Çipi, kur thotë se “më pas kemi premierën e radhës, por ende nuk e dimë se cila mund të jetë.
Kemi shpallur konkurs spektaklesh, por ende nuk kemi asnjë projekt”, nuk thotë të vërtetën, sepse TK ka filluar punë dhe kemi dy shfaqje të rëndësishme me “Edipin Mbret” në TK të Kosovës dhe shumë shpejt fillon puna dhe çdo gjë është gati edhe me regjisorin amerikan Xh.B., i cili ngjit në skenën tonë “Ëndrra e një nate vere”. Kemi gati projekte deri në fillim të vitit 2014.
Sa aktorë ka teatri kombëtar?
32 aktorë.
Paguhen të gjithë me 85000 lekë në muaj, apo ka ndryshime në rroga?
Teatri Kombëtar ka tre kategori aktorësh. Kjo rrogë është për kategorinë e aktorëve që marrin pjesë në role kryesore, në radhë të dytë janë aktorët e tjerë që sipas kategorive janë prezentë, sepse mund të jenë edhe figurantë. Çdo aktor sipas pagesave përkatëse realizon atë punë për të cilën paguhet dhe sipas punës që ka bërë. Tek Henri I, p.sh., ne kemi përfshirë 24 aktorë. Do të përfshihen edhe një numër i madh aktorësh në këto projekte të mëdha, siç janë “Edipi mbret” dhe “Ëndrra e një nate vere”.
A mund të na i jepni të sakta, sipas kategorive pagesat e aktorëve?
Unë nuk mund t’i them të sakta, sepse këto janë gjëra që janë në zyrën e financës dhe zakonisht nuk përgojohen rrogat, nuk është e drejtë, pa u marrë leje aktorëve t’ju publikojmë sa e kanë rrogën. Nuk mendoj se financierja juaj tregon rrogat tuaja. Ka struktura të shtetit që e kontrollojnë këtë procedurë, sipas rregulloreve.
Si mund të kontrollohet mënyra e shpërblimit të aktorit, kur nuk kanë si detyrim orarin e qëndrimit në Teatër. shpesh paragjykohet se aktorët rrinë kafeneve, duket sikur rrinë...?
-Nuk e kuptoj këtë fjalën rrinë dhe në këtë profesionin ka ditë që fillon puna në tetë të mëngjesit dhe mbaron në gjashtë pasdite. Ka ditë intensive ku aktorët rrinë për orë të gjata në prova dhe vazhdojnë edhe të punojnë e përgatiten në shtëpi pas provave.
Kur përgatitet një premierë ka intensitet pune, dhe ka dite që ka vetëm prova. Punohet me orar pa orar. Asnjëherë nuk vihet në balancë sesa ka punuar aktori. Aktrimi është një ndër profesionet e vështira dhe të nderuara, por lejohet të përgojohet rroga nga një drejtues i Teatrit të Komedisë. Çdo projekt e kemi të koordinuar me Ministrinë e kulturës.
Kur dihet se një vepër e ngjitur në skenë ka të njëjtën rëndësi profesionale, si në dramë, si në komedi apo tragjedi, pse erdhi si nevojë ndarja e Teatrit Kombëtar nga ai Komedisë?
Teatri Kombëtar nuk është privuar për të ngjitur më skenë komedi meqë është krijuar edhe teatri i komedisë. Unë mund t’ju them që disa nga veprat që janë vënë ose ajo që çeli siparin e Teatrit të Komedisë ishte një nga veprat që erdhi disa herë në bordin e Teatrit Kombëtar dhe ne nuk e miratuam për arsye cilësore. Nuk ishte e denjë që të ngjitej në skenën e TK-së.
Teatri i komedisë është një institucion privat apo shtetëror?!
Teatri i Komedisë është hapur me vendim të qeverisë. Ka një prapavijë me të punësuar, nuk e di saktë sesa janë, por ka buxhetin e vet. Kur Çipi thotë që më jep mua lekët se unë di ta bëj më mirë këtë punë, unë jam i shqetësuar nga mënyra si flet një drejtues i një institucioni kombëtar. Ky na qenka menaxhimi ke këtij institucioni...
Cila është rroga me e ulët e aktorëve të TK-së?
Është 450 mijë në muaj. Por as nga këta nuk ka aktorë që kanë dhjetë vjet pa role.
A mund të na thoni cilët janë aktorët e kategorisë së parë, që luajnë rolin kryesor në TK?
Jo këto nuk t’i them dot. Nuk kam të drejtë të nxjerr emra.