Kritikat e ambasadores amerikane, alarm për autoritetet maqedonase

Kritikat e ambasadores amerikane, alarm për autoritetet maqedonase

Njohësit e çështjeve juridike thonë se kritikat e drejtpërdrejta për autoritet qeveritare nga Ambasada amerikane në Shkup, tregojnë se është shkelur vija e kuqe për sa i përket mungesës së rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto reagime pasojnë kritikat e drejtpërdrejta të ambasadores amerikane në Shkup, Angela Price Aggeler, drejtuar politikanëve, opinionit dhe zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut me një mesazh të qartë se nuk duhet mbyllur sytë para korrupsionit.

“Dëgjojmë se çfarë ndodh në prapaskenë me manipulimet e emërimeve në postet kryesore. Lexojmë për tenderë fitimprurës që përfundojnë me kompani me lidhje politike apo personale. Pra, le të angazhohemi tani, publiku, politikanët, zyrtarët e qeverisë, për të zhbërë korrupsionin dhe për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Mosndëshkimi duhet të marrë fund”, tha Aggeler.

Ajo këto kritika i bëri më 15 nëntor, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ambasadorja Aggeler nënvizoi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vite kanë shpenzuar miliona dollarë për trajnimin e prokurorëve dhe të tjerëve në sistemin gjyqësor”.

Kritikat e ambasadores amerikane u nxitën pas reagimeve në opinion se zgjedhja e kryeprokurorit për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi, ka qenë rezultat i ndikimeve politike apo lidhjeve të afërta me parti të caktuara politike.

Një trup i ekspertëve ndërkombëtar për filtrimin e gjykatësve

Bashkim Selmani, ish-gjykatës, thotë për Radion Evropa e Lirë se reformat në Gjyqësor duhet të vijnë nga vetë gjykatësit dhe kjo do të jetë e mundur vetëm pasi sistemi gjyqësor të jetë filtruar nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Selmani me këtë rast thekson se duhet formuar një trup i ekspertëve, që do të drejtohet nga faktori ndërkombëtar, i cili do të bënte filtrimin e gjykatësve duke kujtuar rastin me Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë.

“Filtrimin e gjykatësve nga korrupsioni mund ta bëjë vetëm faktori ndërkombëtar përmes formimit të një trupi të veçantë të përfaqësuar nga ekspertë, i cili do të bënte një vetting real të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Atyre, për të cilët dëshmohet se i kanë kontribuar drejtësisë, t’u jepet rasti t’i drejtojnë reformat në sistemin gjyqësorë”, konsideron Selmani.

Politika ndërhyri në sistemin AKTMIS për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore

Më parë nga faktori ndërkombëtar, përkatësisht nga USAID-i, nga viti 2010 në 34 gjykata të vendit është ngritur sistemi AKMIS, i cili në formë elektronike bën shpërndarjen e lëndëve gjyqësore. Kjo bëhet në mënyrë që të shmanget faktori njeri gjatë ndarjes së lëndëve te gjykatës të caktuar me këtë dhe kurdisja e proceseve.

Por, nga bisedat e përgjuara doli në pah se gjykatësit e afërt me pushtetin në atë kohë, me VMRO DPMNE-në, kanë manipuluar në sistemin kompjuterik dhe sërish lëndët i kanë shpërndarë te gjykatësit e caktuar. Pas kësaj me burgim u dënua kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Peshevski.

Ngritja e Akademisë së Gjykatësve

Për të ngritur një sistem gjyqësor profesional jashtë influencës politike me para të faktorit ndërkombëtarë përmes projektit KARDS dhe fondeve IPA, më 2006 u ngrit Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve. Parashihej që të gjithë kandidatët për gjykatës dhe prokurorë duhet ta kenë të kryer Akademinë.

Pavarësisht kësaj, hulumtimi i realizuar nga “Evrothink” gjatë këtij viti, ka nxjerrë në pah se “vetëm 8% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut u besojnë autoriteteve gjyqësore”. Natasha Gaber-Damjanovska, kryetare e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve për Radion Evropa e Lirë thotë se transparenca e gjykatësve do ta përmirësojë perceptimin e qytetarëve kundrejt sistemit gjyqësor.

“Komunikimi me opinionin është shumë i rëndësishëm për të vërtetuar çdo hap që ndërmerret ndaj proceseve të caktuara. Pastaj transparenca e vetë punës së Gjyqësorit, këtu mendoj se si një lëndë e caktuar menaxhohet në gjykatë”, thotë Gaber.

Ndërkaq, autoritetet maqedonase kritikat e ambasadores amerikane i kanë cilësuar me vend. Sipas tyre, kjo flet për nevojën e reformave të thella në Gjyqësor, veçanërisht pas bujës së ngritur pas zgjedhjes së kryeprokurorit për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi.

“Jam dakord me deklaratën e Ambasadës amerikane. Duhet të jem i sinqertë. Mund t'ju them lirisht se kreu i Qeverisë dhe si Qeveri, këtu e kam fjalën për ministrat, ne nuk kemi asnjë rol në zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Krimin e Organizuar, duke qenë që zgjedhja është bërë në formë të drejtpërdrejtë mes prokurorëve”, është arsyetuar kështu të hënën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Por, kryetari i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili u akuzua se ka lidhje në përzgjedhjen e bashkëvendësit të tij nga Zajazi i Kërçovës për kryetar të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka theksuar se partia e tij me vite kërkon një vetting gjithëpërfshirës në sistemin gjyqësor./REL

S.S/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën