Në një reagim direkt përmes rrjeteve sociale, kryeministri Rama ka folur sërish për pagat e gjyqësorit ku thotë se atmosfera e krijuar është tepër shqetësuese. Ai thotë se pavarësia e gjyqësorit ka rrëshqitur në papërgjegjshmëri. Burimi është “kuturisja” për të marrë një vendim arbitrar për pagat e gjyqësorit duke kërkuar që Thesari i Shtetit të hapë derën, tha Rama.

“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.

Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.

Dua ta nis aty ku e fillova, te këto dy trupa këshillash, dy maja, një majë me dy trupa të piramidës së gjyqësorit. Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga lufta etnike dhe fetare? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti, në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje, me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët se në çdo hap japim një shembull për të tjerët dhe ulet e thuhet ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Kushtetueses që ne si pushtet ekzekutiv e legjislativ s’kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend të mos e respektojmë, por ka edhe një afat 31 korriku që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide, do ta respektoni këtë vendim? Kur keni ndërmend ta respektoni? Pasi të dëgjonit anën tonë, mund të vazhdonin të bënin të tyren si t’u thoshte mendja. Por kjo me arbitraritet ndaj një shumice qeverisëse që ka bërë reformën në drejtësi, që ka luftuar për këtë standard trajtimi dhe mirëqenieje që është rritur kaq ndjeshëm në familjet e gjithë kësaj trupe në Shqipëri, gjëja e parë që ju vajti në mend është t’i dilni përballë dhe ta sfidoni me një formë kaq brutale? Vetë zot, vetë shkop? Ça jeni ju, partia e çekiçëve? I keni për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike? për të kërcënuar Ministrin e Financave, drejtorët e Thesarit? Ça janë ata, roje magazinash pa zot? Si është e mundur që nuk ka një moment marrje fryme dhe marrje me arsye të hapave. Ne mund të mos jemi dakord asnjëherë por kemi detyrimin që mosdakordësinë ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Boll është trajtuar në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. U shtua dhe një parti politike tjetër tani që do të nxjerrë dhëmbët dhe skërmitet për të shumëfishuar pagat e veta për t’i çuar me diferencë nga gjithë rajoni për të shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të BE?

Besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe ndërkohë, i siguroj të gjithë, do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë”, përmbylli Rama.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:49
Rama krahason pagat mesatare të gjyqtarëve me administratën: Me rritjen do të paguheshin deri në 5 mijë euro më shumë se presidenti

Kryeministri Rama ka reaguar sërish për pagat e gjyqtarëve me një tjetër tabelë, duke krahasuar pagën e tyre mesatare me atë të administratës shtetërore.

Sipas tabelës, Shqipëria qëndron në vendin e katërt të pagës mesatare më të lartë për gjyqtarët, 3804 euro. Në vend të parë është Greqia me 5451 euro, të dytë Rumania me 5422 euro dhe të tretë Sllovenia me 4193 euro. Nëse do të aplikohej rritja e kërkuar nga gjyqtarët, Shqipëria do të kalonte në vendin e parë me 5375 euro pagë mesatare, duke i lënë pas të tjera.

Rama shkruan se sot maja e piramidës së pagave në vendet e tjera konsiderohet e presidentit. Por duke marrë pagën mesatare të rritur të gjyqësorit në Shqipëri, niveli do të arrinte 1 mijë euro më shumë se presidenti. Ndërsa nëse merret niveli më i lartë i gjyqësorit që paguhet 2 mijë euro më shumë se presidenti, rritja do ta bënte diferencën e pagës mes tyre 5 mijë euro.

“Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi…

Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë…

Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet     1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se duke marrë nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!

Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallëzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…”, shkruan Rama.

Ora 09:18
Ngërçi me pagat, Rama publikon shifrat: ‘Vetë zot, vetë shkop’! Gjyqtarët paguhen 500 euro më shumë se në Greqi, duan edhe 2000 të tjera

Kryeministri Rama ka publikuar një tabelë në rrjetet sociale ku tregon renditjen e pagave të gjyqtarëve krahasuar me disa vende.

Sipas renditjes së tanishme, gjyqtarët shqiptarë janë të dytët më të paguarit pas atyre rumunë, rreth 3241 euro në muaj. Më pas vjen Sllovenia me 2842 euro dhe në vend të katërt Greqia me 2702 euro. Mali i Zi renditet në vendin e tetë, me pagë 1958 euro. Ndërsa me rritjen që gjyqtarët në Shqipëri kërkojnë, do të renditeshin të parët pasi paga do të shkonte në 4886 euro.

“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…”, shkruan Rama.