ATHINË - Greqia do t’i kërkojë eurozonës zgjatjen e borxhit dhe për 6 muaj të tjerë. Lajmi bëhet me dije nga zyrtarë të qeverisë greke, sipas të cilëve Ministri i Financave greke do të bëjë kërkesën, ndërsa shpreson se do të arrihet një marrëveshje e përbashkët.
 
Zgjatja e borxhin nuk përfshin rinegociim të marrëveshjes aktuale të paketës së borxhit, bashkë me masat shtrënguese. Mbrëmjen e së hënës Greqia e refuzoi planin për zgjatjen e borxhit 240 miliardë euro, duke e konsideruar atë si “absurd”.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje zyrtare deri në fund të shkurtit Greqia mund të mbesë pa të ardhura monetare. Ministri grek i financave Yanis Varoufakis deklaroi se “duhet të zgjasin programin monetar për disa muaj, deri sa të mund të negociojnë një marrëveshje të re mes Greqisë dhe Evropës”.
 
 
Ndërkohë nga ana tjetër ministri i financave gjermane Wolfgang Schauble deklaroi se “nuk bëhet fjalë për një zgjatje të programit monetar të borxhit, por nëse programi do të përmbushet deri në fund apo jo”. Sipas tij ky ishte më tepër një program asistence, duke ironizuar faktin se Greqia kërkon të marrë para nga BE, por nuk dëshiron të përmbushë kushtet për t’i lejuar vendit rimëkëmbjen ekonomike.
 
Eurogrupi i ka dhënë afat Greqisë deri të premten për të arritur në një marrëveshje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët për vazhdimin ose jo të programit të borxhit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)