Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me përplasjen publike për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kritikuar gjuhën e përdorur nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe duke theksuar se vendimmarrja për politikën e pagave i takon qeverisë dhe parlamentit.
Duke ndarë deklaratën e gjyqtarit Engert Pëllumbi gjatë një interviste televizive i cili tha se “Nuk është ngërç buxhetor, është politikë, është arrogancë, është çështje inati për fitoren tonë në Gjykatën Kushtetuese”, Rama e cilësoi si të papërshtatshme këtë gjuhë për një gjyqtar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama nënvizon se askush nuk mund të zëvendësojë parlamentin apo t’i diktojë legjislativit mënyrën se si duhet të votojë. Sipas tij, roli i Gjykatës Kushtetuese është të ndërhyjë vetëm kur cenohet një parim apo normë kushtetuese, ndërsa korrigjimi i ligjit mbetet përgjegjësi e ligjvënësve.
Rama shprehet gjithashtu i shqetësuar për mundësinë që shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të përdorin mjete politike dhe juridike për të imponuar rritjen e pagave, duke e cilësuar një skenar të tillë si “një sfidë të një lloji të ri”.
Kryeministri thekson se çështja e pagave, sipas tij, nuk është një çështje inati, por një “sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë”.
Në vijim, Rama nënvizon se tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe më pas të anuluar mbetet ende një opsion, ndërsa 17 shtatori, sipas tij, shënon fundin e episodit të tensioneve mes palëve, por jo të nevojës për komunikim mes pushteteve të pavarura.
Reagimi i Ramës:
Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.
Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta:
Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën.
Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.
Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë.
Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)
-
Mbreti tani po i tegon dhe gjykates kushtetuese si funksionon kushtetuta. Dhe ca mund te bej GjK e ca nuk mund te beje. Mire qe ka ndarje pushtetesh. Kshu eshte kur idhull ke erdoganin dhe fashisten e italise. Ky do te hyj ne BE duke u sjell si armiqte e saj. A mjerr ne, shpetuam na nje sali per ta gjetur veten me nje sali tjeter
Përgjigju








Komente
Komento