BRUKSEL - Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, duke folur në Romë në një konferencë shtypi tha se institucionet evropiane duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për nxitjen e punësimit të të rinjve dhe dhënien e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Van Rompuy, i cili foli pas takimit me kryeministrin italian Enrico Letta, paraqiti prioritetet e takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet në Bruksel më 27 dhe 28 qershor.

Presidenti i KE-së tha se falë politikave të kohëve të fundit që kanë rritur stabilitetin financiar dhe besimin e tregut, tashmë kërcënimi ndaj euros ka marrë fund, por ka ende shumë për të bërë për të arritur shërimin e plotë.

Van Rompuy dhe kryeminsitri Italian ranë dakord se papunësia e të rinjve është një nga problemet më të ngutshme me të cilat po përballen ekonomitë evropiane.

“Ne presim që Banka Evropiane e Investimeve të zgjeroi shtrirjen e aktiviteteve të saj në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme",-theksoi kreu i KE-së, duke shtuar se samiti i BE-së në qershor do të fokusohet kryesohet tek të rinjtë, në këtë situatë të zymtë ekonomike.

Redaksia Online
(l.c/b.y/shqiptarja.com)