Pas 12 orëve bisedime në rezidencën e BE-së në lokalitetin Përzhino në Shkup nuk ka pasur asnjë rezultat, edhe përkundër pranisë dhe ndërmjetësimit të eurokomisionerit për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johannes Hahn.

Ai në orën 04.00 të mëngjesit doli i dëshpëruar nga takimi, duke dhënë pak shpresë se mund të ketë rezultat gjatë 20 orëve të ardhshme nga grupet e punës të partive politike. Hahn ka udhëtuar rreth orës 05.20 të mëngjesit drejt Brukselit, për shkak të agjendës së tij diplomatike.

“Jam shumë i zhgënjyer që nuk arritëm të realizojmë një marrëveshje të shkëlqyer për të gjitha palët. Unë nuk do të jem këtu, por ekipi im do të punojë që marrëveshja të realizohet. Nuk do të ketë afate te reja”, theksoi komisioneri Han rreth orëve të mëngjesit, i cili prej dje pasdite qëndroi në Shkup për të finalizuar marrëveshjen.

Ai shtoi se ky dështim në negociata do të mund të ketë reflektim edhe në procesin e eurointegrimeve, pasi që edhe pak ditë pritet të publikohet raporti i progresit dhe nuk dihet se a do të ketë rekomandim për nisjen e negociatave me BE.
Por ajo që ka bërë të dështojnë negociatat ka qenë se BDI dhe VMRO-DPMNE për 8 orë nga 12 orët e negociatave , ka insistur që të miratohet ligji për mospublikimin e materialeve të përgjimeve, gjë që është kundërshtuar nga ana e opozitës, e cila ka kërkuar që të miratohet pjesa tjetër e marrëveshjes, që ndikon në procesin evrointegrues të vendit.

Lideri i SDSM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase), Zoran Zaev theksoi se nuk ka marrëveshje dhe se sipas tij, pushteti ka harxhuar kohë duke insistuar për të ndaluar publikimin e materialeve të përgjimeve.

“Si mundet që për dikë të jetë më me rëndësi, që prej këtyre 12 orëve të bisedimeve, më tepër se 8 ose 9 orë të harxhojë për rëndësinë e prurjes së ligjit për ndalim të publikimit të bisedave të përgjuara, që qenka më e rëndësishme se ardhmëria evropiane e të gjithë qytetarëve. Faktori ndërkombëtarë është dëshmitarë se si janë zhvilluar bisedimet”, theksoi Zaev. Sipas tij, partitë në pushtet po blejnë kohë për të dështuar negociatat. Ai tha se kanë ngelur edhe 20 orë vendimtare për të finalizuar marrëveshjen.
Deputeti i VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski theksoi se nuk është arritur marrëveshje dhe se disa çështje kanë mbetur të hapura.

“Mund të kumtoj se nuk arritëm marrëveshje përfundimtare, edhe pse kishte afrim të qëndrimeve sa u përket temave të caktuara”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, duke theksuar se duhet të  respektohet marrëveshja e 2 qershorit për të miratuar ligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjimeve, por sipas tij, për këtë nuk është pajtuar opozita.

Ai tha se grupet punuese të partive do të vazhdojnë bisedimet dhe se gjatë ditëve të ardhshme do të arrihet marrëveshje.
Liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së janë larguar disa orë përpara përfundimit të këtij raundi të dështuar të negociatave dhe se ata i janë shmangur mediave. Sot siç mësohet grupet punuese do të vazhdojnë bisedimet për të gjetur një zgjidhje rreth pikave të hapura, siç janë emërimi i ministrave nga radhët e opozitës maqedonase, votimi i ekipit të prokurores speciale nga ana e Këshillit të Prokurorëve, korniza ligjore për rregullimin e mediave dhe ndalimin e fushatave qeveritare si dhe çështje të tjera, para se vendi të shkojë në zgjedhjet e caktuara më 24 prill 2016. (INA)


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)