Në Moskë ka nisur një protestë masive ku qytetarët rusë dënojnë “grushtin e shtetit” në vendin fqinj, Ukrainë, një vit pas rënies nga pushteti të presidentit pro-Rus Viktor Yanukovych.

Në këtë protestë pritet të marrin pjesë deri në rreth 10 mijë njerëz, pas promovimit intensiv të medias shtetërore ruse me sloganin “Ne nuk do të harrojmë! Ne nuk do të falim!”.

Ky event është organizuar si një anti-protestë e marshimeve në Kiev pro Bashkimit Europian, e njohur si “Mejdani” apo sheshi. Grupet e demostruesve rusë u mblodhën në qendër të Moskës me banera patriotikë.

Protestat e qytetarëve ukrainas gjatë 2014-tës rrëzuan nga pushteti presidentin pro-Rus Viktor Yanukovych dhe prej asaj kohe Rusia ka aneksuar gadishullin e Krimesë dhe akuzohet se po ndihmon rebelët separatistë në lindje të Ukrainës, që gjithashtu pretendojnë të vendosin autonominë e një republike të vetëshpallur.

Qeveria e Ukrainës, liderët perëndimorë dhe Nato thonë se ka prova të qarta se Rusia po ndihmon rebelët në lindje të ukrainës me armë të rënda dhe trupa ushtarake.

Ekspertët e pavarur i bëjnë jehonë këtyre akuzave, ndërsa Moska zyrtare i mohon ato duke insistuar se çdo rus në ukrainë përkrah rebelëve është “vullnetarë”.

Ndërkohë dhe pas hyrjes në fuqi të një marrëveshje armëpushimi një javë më parë, ende raportohet për luftime në qytetin nën kontrollin e rebelëve në Donetsk.

Sipas OKB-së reth 5,700 persoan kanë mbetur të vrarë në zonën e konfliktit në lindje të Ukrainës që prej prillit të vitit 2014-të, ndërsa rreth 1,5 milion të tjerë janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre të kërcënuar nga luftimet e ashpra.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)