Ndërsa Iraku i ka kërkuar zyrtarish ndihmë Uashingtonit, presidenti amerikan, Barack Obama, ka takuar përfaqësues të Kongresit për të diskutuar aksionet e mundshme ushtarake kundër kryengritësve sunitë .

Obama ka takuar liderin e shumicës në Senat, Harry Reid, liderin e pakicës në Senat, Mitch McConnel, kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, dhe lideren e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Duke folur për gazetarët pas takimit, McConell ka thënë se Obama “ka dhënë sinjale se nuk ka nevojë për autoritet nga ne për hapat që mund të ndërmarrë”.

Pelosi, në anën tjetër, ka deklaruar se Obama nuk ka nevojë për autoritet të mëtejshëm legjislativ për të ndihmuar Irakun, por nuk ka specifikuar se cilat opsione kanë qenë në diskutim.

Megjithatë, gazeta New York Times ka cituar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të kenë thënë se Obama nuk e ka përjashtuar mundësinë e votës në Kongres.

Uashingtoni është duke konsideruar sulmet ajrore ose sulmet me aeroplanë pa ekuipazh, në përgjigje të kërkesës së Irakut për ndihmë, por ai ka përjashtuar vendosjen e trupave tokësore.

Obama tashmë ka njoftuar se 275 ushtarë amerikanë janë dërguar në Bagdad, për të mbrojtur Ambasadën e SHBA-së atje. Pak para takimit me Obamën, kryetari i Dhomës së Përaqësuesve, John Bohener, ka thënë se kundërshton bashkëpunimin me Iranin për të ndaluar avancimin e militantëve islamikë në Irak.

Ministri i Jashtëm i Irakut, Hoshyar Zebari, ka thënë se Bagdadi ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të kryejnë sulme ajrore “për të thyer moralin” e militantëve, të udhëhequr nga Shteti Islamik i Irakt dhe Levanti, grup ky i lidhur me Al Kaidën.

Luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë marrë javën e kaluar kontrillin e qytetit të dytë më të madh, Mosulit, dhe të Tikritit, po ashtu qytet i rëndësishëm.

  
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)