Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të ndjeshme në botë për energjinë dhe tregtinë. Çdo tension që ndodh aty përkthehet menjëherë në nervozizëm në tregjet globale.
E vendosur në hyrje të Gjirit Persik, kjo ngushticë kalon mes ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit dhe në pikën më të ngushtë është vetëm 33 kilometra e gjerë. Nga aty, anijet dalin në Gjirin e Omanit dhe më pas në oqean, drejt tregjeve botërore.
Pse ka peshë kaq të madhe? Sepse rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës kalon pikërisht nga kjo rrugë detare. Anije cisternë me miliona fuçi naftë në bord lëvizin çdo ditë nëpër këtë korridor të ngushtë. Aty kalojnë edhe anije me mallra dhe kontejnerë që furnizojnë tregjet ndërkombëtare.
Analistët e Goldman Sachs kanë paralajmëruar më herët se një bllokadë në këtë ngushticë mund ta çojë çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi. Një rritje e tillë do të kishte efekt zinxhir në ekonomi.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar çdo rritje me 10% e çmimit të naftës shton rreth 0.4 pikë përqindjeje inflacionin në ekonomitë e zhvilluara. Me fjalë të tjera: çmimi i karburantit rritet, rriten kostot e transportit, rriten çmimet në raftet e dyqaneve.
Megjithatë, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte një hap ekstrem për Iranin. Një veprim i tillë do të godiste edhe klientët e tij kryesorë, si Kina, dhe do të prekte vende të tjera të mëdha prodhuese të naftës si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prandaj, çdo kërcënim për mbylljen e saj shihet si një sinjal i fortë politik dhe ekonomik, me pasoja që shkojnë shumë përtej rajonit.
Lajmi kryesor:
Sulmet nga SHBA e Izraeli, Irani e konfirmon: Khamenei vdiq! Vritet ish-presidenti iranian, bombardime nga Dubai në Abu Dhabi










