Kriza në shtetin fqinj, Sejko: Kemi 
bllokuar transfertat drejt Greqisë

Kriza në shtetin fqinj, Sejko: Kemi <br />bllokuar transfertat drejt Greqisë
TIRANE- Për të shmangur ndikimin e filialeve të bankave greke në shqipëri nga kriza në vendin fqinj, Banka e Shqipërisë ka bllokuar çdo transfertë të tyre drejt subjekteve mëmë. Sipas Guvernatorit Gent Sejko, Banka e Shqipërisë, përmes një urdhëri të posaçëm ka kufizuar çdo transfertë drejtë vendit fqinj, për të cilin ka gjetur edhe mirëkuptimin e bankave shqiptare me kapital grek. “ne kemi lëshuar një urdhër, nëpërmjet të cilit kemi kufizuar çdo lloj transferte, transferimi kapitali apo likujditeti në drejtim të mëmave të tyre.

Praktikisht bashkëpunimi me bankat shqiptare me kapital grek ka qenë perfekt. I kemi monitoruar në vazhdimësi dhe nuk ka pasur asnjë transferim kapitali në drejtim të bankave mëmë”, tha Sejko në një deklaratë për shtyp.

Bankat
Teksa u ndal te gjendja e bankave me kapital grek në Shqipëri, Sejko theksoi se ekspozimi i tyre ndaj bankave mëmë është thuasje zero dhe se aktiviteti i tyre në Shqipëri vazhdon më se normalisht. “Aktiviteti i tyre vazhdon normalisht. Sikurse e kam theksuar, është i shtrirë në tërë territorin e Shqipërisë, pasi këto banka operojnë operojnë me vetëfinancim, përmes depozitave të depozituesve shqiptarë. Kjo bën që kreditë dhe tërë aktiviteti i tyre ekonomik të zhvillohet në territorin shqiptar. Për këtë nuk kanë nevojë të jenë të varura nga mëmat, pasi janë të pavarura në aktivitetin e tyre ekonomik”, tha Sejko.

Ekonomia
Deklaratat mbi masat ndaj bankave me kapital grek u bënë dje publike nga Sejko gjatë prezantimit të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 1 korrik 2015. Sipas tij, sistemi gëzon shëndet të plotë financiar, në kushtet e një likuiditeti të bollshëm dhe të një kapitalizimi të lartë. Banka e Shqipërisë ka ndjekur prej vitesh një politikë të shtuar kujdesi ndaj bankave me pjesëmarrje të kapitalit grek, duke iu imponuar atyre kushte më konservatore në lidhje me kapitalizimin e veprimtarisë dhe nivelin e likuiditetit.

Të dhënat e fundit tregojnë se sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar ndaj sektorit publik grek apo ndaj grupeve private greke. Bankat me kapital grek përbëjnë 15% të totalit të sistemit bankar shqiptar, krahasuar me 25% në fund të vitit 2008. Kreu i BSH theksoi se vendimet e autoriteteve greke për kontrollin e lëvizjeve të kapitalit dhe për ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit bankar në Greqi, nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë aktivitetin e sistemit bankar në Shqipëri, përfshirë dhe bankat e licencuara me kapital grek.

Këto të fundit janë entitete shqiptare, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, rregullues dhe atë mbikëqyrës, që zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median