SHBA-  Kancelarja gjermane Angela Merkel në një vizitë zyrtare në SHBA ka mbajtur një konferencë për shtyp së bashku me presidentin amerikan Barack Obama.

Gjatë fjalës së tij, Obama vlerësoi miqësinë dhe lidhjet e forta mes SHBA e Gjermanisë. Pika kryesore e bisedës mes të dyve ishte padyshim kriza në Ukrainë. Presidenti amerikan tha se SHBA e BE janë të bashkuara për të sanksionuar më tej Rusinë nëse situata nuk do të zbutet. Sipas tij, aktivistët pro-rusë nuk ishin pjesë e popullit që proteston në mënyrë paqësore, por ushtarë rus të stërvitur të cilët mund të rrëzojnë helikopterë, siç ndodhi ditën e sotme në Sloviansk, ku 2 persona humbën jetën, gjatë operacionit anti-terror të Kievit.

Ai gjithashtu i kërkoi Rusisë të lirojë menjëherë 7 vëzhguesit ndërkombëtarë të marrë peng. Obama paralajmëroi se nëse Rusia do të vazhdojë në rrugën e nisur, atëherë SHBA e BE do të vepronin duke e izoluar ekonomikisht dhe diplomatikisht. Sipas Obamës Rusia tashmë është futur në recension pas sanksioneve të vendosura në pikat kyçe të ekonomisë së saj. Ai i bëri thirrje Moskës të respektojë dhe zbatojë pikat e marrëveshjes së Gjenevës të arritur në muajin prill.

Ndërkohë kancelarja gjermane theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 25 majit në Ukrainë. Merkel bëri të ditur se BE do të ndihmojë që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë paqësore, por nëse Rusia do të ndërhy për të prishur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, atëhere do të ketë pasoja.

Ajo gjithashtu foli për nevojën e gazit që ka Europa, ku shtoi se vendet e BE duhet të ndajnë mes tyre rezervat e gazit dhe të energjisë deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, në rast se Rusia vendos të ndërpresë furnizimin më gaz.

Të dy liderët theksuan disa herë se situata në Ukrainë duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe diplomatike, por nëse Rusia do të vazhdojë në rrugën e nisur atëhere BE e SHBA janë të gatshme të ndërmarrin një raund të tretë sanksionesh ndaj ekonomisë ruse.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)