Kryeministri Britanik Keir Starmer njoftoi sot se 2,5 miliardë paund nga asetet e oligarkut rus Roman Abramoviç, të cilat janë ngrirë në Britaninë e Madhe, do t’i transferohen Ukrainës për të forcuar rezistencën e Kievit ndaj agresionit rus. Starmer theksoi se qeveria britanike është e gatshme të konfiskojë të gjithë pasurinë e Abramoviç nëse ai nuk i transferon këto fonde në mënyrë vullnetare.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin dha deklarata të forta ndaj Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai paralajmëroi se rifillimi i dialogut me BE do të jetë i mundur vetëm pas ndryshimit të elitave politike në Europë dhe përforcimit të pozitave të Rusisë. Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të negociojë me administratën Trump për gjetjen e një zgjidhje paqësore për Ukrainën, por paralajmëroi se nëse këto bisedime dështojnë, Moska do të synojë të marrë “territore historike”.

Sipas Putin, raketa balistike hipersonike Oreshnik do të hyjë në shërbim deri në fund të vitit, duke rritur kapacitetet raketore të Rusisë dhe duke ruajtur ekuilibrin bërthamor me Perëndimin. Ndërkohë, gjatë së mërkurës, Rusia kreu një sulm tjetër me dronë duke shënjestruar zonën e Obolonskyi-t. Tre sulme të tjera ajrore mbi Zaporizhzhia shkaktuan të paktën 26 të plagosur, përfshirë edhe një fëmijë, dhe dëme në mbi 130 apartamente.  Situata në terren mbetet kritike. Sipas Kievit, Moska ka përqendruar 710,000 trupa për një ofensivë tjetër të mundshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:43
Vladimir Putin etiketon liderët evropianë “derra të vegjël”

1763992162_vladimirputin.jpg

Shtetet e Bashkuara dhe “derrat e vegjël evropianë” të tyre ishin të bindur se mund ta shkatërronin shpejt Rusinë dhe të përfitonin prej saj, ka deklaruar presidenti Vladimir Putin. Kështu raporton agjencia Ria Novosti.

“Derrat e vegjël evropianë u bashkuan menjëherë me administratën Biden, me shpresën për të përfituar nga shembja e vendit tonë, duke rimarrë atë që kishin humbur në periudha historike të mëparshme dhe duke u përpjekur të hakmerreshin,” tha udhëheqësi i Kremlinit gjatë një mbledhjeje të gjatë me drejtuesit e ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.