Kriza për punëtorë rrit numrin e pensionistëve të punësuar

Kriza për punëtorë rrit numrin e pensionistëve të punësuar

Shefqet Hasa

Shefqet Hasa duhej të kishte dalë në pension para tre vjetësh, por vazhdon të punojë si shofer në transportin publik në Tiranë.

Si ai janë edhe rreth 60 punonjës të tjerë në transport. Por, ky nuk është sektori i vetëm, ku ka rritje të pensionistëve të punësuar.

Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, numri i pensionistëve të punësuar u rrit për 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paga mesatare në këtë vend është mbi 500 euro.

Transporti vuan mungesën e shoferëve, “zgjidhje” pensionistët

“Punoj prej 45 vjetësh si shofer dhe aktualisht drejtoj urbanin në linjën Kamzë-Tiranë. E kam mbushur moshën e pensionit tre vjet më parë, por vazhdoj të punoj edhe për arsye ekonomike, se pensioni është 19 mijë lekë [190 euro] dhe nuk më del as për ilaçe. Por, edhe meqë ka mungesë shoferësh, mu kërkua ta vazhdoj punën. Sa të kem mundësi dhe shëndet, do të punoj”, thotë Hasa.

Mungesën e shoferëve e thekson për Radion Evropa e Lirë edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të Shqipërisë, Dashnor Memaj.

“Shqetësim i frikshëm i momentit është largimi në masë i punonjësve të këtij sektori, kemi nevojë për mbi 1.500 punonjës të kategorive të ndryshme: shofer, faturino, punonjës servisi etj. Për ta mbuluar këtë hendek të punonjësve, jemi munduar ta mbajmë edhe kategorinë që ka plotësuar moshën e pensionit. Aktualisht, në sektorin e transportit janë të punësuar rreth 60 pensionistë”, thotë Memaj.

Ai thotë se vendet e lira të punës janë të shpallura, por se ka mungesë interesi.

“Para disa vitesh për një vend pune kemi pasur 10 aplikime, sot për 10 vende pune kemi një aplikim. Punonjësit e rinj nuk kanë interes për të punuar në sektorin tonë, sepse po shohin tregun evropian për kushte më të mira dhe paga më të larta”, thotë Memaj.

Ai shton se për këtë sektor nuk mund të shërbejë si zgjidhje as “importimi” i fuqisë punëtore, siç ka ndodhur në sektorë të tjerë.

“Ndryshe nga sektorët e tjerë, punësimi i të huajve është i pamundur, sepse duhen patentat dhe kualifikimet përkatëse, që një i huaj nuk i bën për një periudhë të shkurtër kohe, sepse të jesh shofer në transport publik është përgjegjësi e madhe”, thotë Memaj.

Të njëjtën gjë e pohon edhe Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës kombëtare të Auto-shkollave.

“Unë kam dy të punësuar mbi moshën 65-vjeçare. Kemi kërkuar punonjës të rinj, por është e pamundur të gjesh. Instruktorët e praktikës në auto-shkolla lejohen ta ushtrojnë profesionin deri në 70 vjeç, pas ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, kështu që ne jemi të detyruar t’i punësojmë, janë zgjidhje e mirë për ne, sepse janë profesionistë, ndërsa të rinjtë nuk vijnë ta bëjnë këtë punë”, thotë Gjinaj.

Pensionistë të punësuar edhe në bar-restorante

Transporti nuk është i vetmi sektor që po sheh si zgjidhje punësimin e pensionistëve. Edhe baret dhe restorantet po vuajnë mungesën e punonjësve dhe shohin si zgjidhje punësimin e pensionistëve.

Majlinda Sejdini drejton një bar-restorant në Tiranë që nga viti 2004 dhe pohon se e ka parë si zgjidhje të mirë mbajtjen në punë të punonjësve që kanë kaluar moshën e pensionit.

“Kemi biznes familjar dhe punësojmë pak njerëz se kaq është mundësia, por sërish mungon krahu i punës. Nuk ka të rinj që pranojnë të punojnë si pjatalarës, apo punë në kuzhinë. Për këtë arsye punësojmë pensionistë. Aktualisht, kam punësuar një pensioniste. Kishte dalë në pension prej vitesh, e kam fqinje, duke qarë hallin se nuk po gjej punëtorë, ramë dakord që ajo të vijë të punojë në kuzhinë, në restorant”, thotë Sejdini.

Të punësuar 15.6 % e pensionistëve, cilat janë arsyet?

Në qershor të këtij viti, Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT) raportoi si të punësuar mbi 71 mijë pensionistë në tremujorin e parë të vitit 2023, të cilët përbëjnë 15.6 për qind të totalit të popullsisë mbi 65 vjeç.Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2022, numri i pensionistëve të punësuar u rrit për 17%.

Eksperti i punësimit, Erion Muça, duke analizuar këta tregues, jep disa arsye përse është rritur numri i pensionistëve që punojnë.

“Përqindja e pensionistëve që janë në punë është rritur, pasi tregu i punës po vuan largimin masiv të të rinjve, e ku shumë profile pune mbeten të pambuluara dhe rrjedhimisht pengohen procese te rëndësishme, të cilat ndikojnë negativisht në produktivitet dhe në tërësi në ekonominë e vendit. Një arsye tjetër lidhet me diferencat në formim dhe arsim specifik, ku në disa profile të caktuara pensionistët zotërojnë eksperiencë specifike”, thotë Muça.

Ai shton se punësimi i pensionistëve lidhet edhe me lëvizjet e brendshme migruese, ku plot zona mbeten pa shërbim të profesioneve të caktuara dhe rrjedhimisht profesionistët në pension janë e vetmja zgjidhje, që një shërbim të vazhdojë.

Muça thekson se është mirë që pensionistët të aktivizohen, por, sipas tij, politikat dhe proceset për këtë angazhim duhet ta kenë motiv dëshirën, e jo nevojën.

“Kjo mund të rregullohet duke ndërtuar programe, të cilat do t’i ndihmonin pensionistët të zgjidhnin të bënin punët e përshtatshme për ta, kryesisht fleksibël e në përputhje me mundësitë fizike dhe shëndetësore të tyre”, thotë ai.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, në tetor të vitit 2021, autoritetet shqiptare kanë fuqizuar ndryshimet në Ligjin për të huajt, që kanë lehtësuar marrjen e lejes së punës në Shqipëri, bashkë me lejen e qëndrimit.

Megjithatë, disa biznese kanë thënë se shumica e punonjësve të huaj e përdorin Shqipërinë si “trampolinë” drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Një tjetër nismë e Qeverisë së Shqipërisë që të mos mungojnë profesionistët, është Ligji për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Ligji synon ta frenojë ikjen e mjekëve duke ua bllokuar diplomën për një kohë të caktuar, por nisma është kundërshtuar nga studentët e mjekësisë dhe opozita, ndërsa presidenti ende nuk e ka dekretuar ligjin./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lala: 30/07/2023 15:27

    Leket Si Dalin per ilace.dmth tension se Ket semundjw Kan pensionistet shqiptare.perkunder keqardhjes per Pensiononin E Vogel I cili sdel...Ty ste vjen keq QE mund te marresh ne qaf pasagjeret E linjes? Sidomos me kete diell E vape Ku Ju shoferet as E merrni mundimin te ndizni kondicionerin? Te rujt zoti Ty E pasagjeret ne durt E tua

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta: Dy agjenci izraelite të Bashës dhe të Ramës punonin kundër LSI-së

Meta: Dy agjenci izraelite të Bashës dhe të Ramës punonin kundër LSI-së