TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit po përgatit raundin e 13-të. Nesër (e shtunë) në orën 13:30 në 'Selman Stërmasi' luhet sfida mes KF Tiranës dhe Egnatias.
Përpara takimit, për mediet foli Ardian Nuhiu. Trajneri i KF Tiranës është i kënaqur nga barazimi i fundit 1-1 në Vlorë, teksa sipas tij kështu si po shkojnë punët, një barazim nesër kundër kampionëve në fuqi të vendit nuk do ishte rezultat i keq.
Sulmuesi Patsatsia vijon të jetë jashtë për çështje disiplinore, ndërsa mungojnë edhe Dembele, Soler e Abah.
"-Barazimi 1-1 dhe pika e fituar në Vlorë...
Padiskutim që ka qenë shumë e rëndësishme. Mënyra si kanë punuar djemtë, më kanë bërë të besoj. Pika na jep shpresë, kemi pasur atmosferë të mirë dhe futbollistë të motivuar gjatë javës. Shikoj urinë për t’u përmirësuar. Kjo më bën të besoj fuqishëm që jemi në rrugën e duhur, si po punojnë dhe si luftuan djemtë në ndeshjen e fundit.
Nesër përballje e fortë sepse kemi kundërshtar skuadrën që vitin e kaluar ka luajtur rol të rëndësishëm në kampionat. Ndeshja do përqëndrim maksimal, duke respektuar kundërshtarin, por asnjë moment nuk do nënvlerësojmë vlerat e skuadrës tonë. Pres nga futbollistët që forca e kundërshtarit të na motivojë për ndeshje të madhe. Prioritet do jetë që të mbajmë rezultatin pozitiv që morëm në Vlorë dhe të kemi vazhdimësi të rezultateve të mira.
-Mungesat e Tiranës
Dembele, Soler dhe Abah kanë dëmtimet, po merret stafi mjekësor. Për Patsatsian është marrë vendim që të mos jetë me grupin, në këtë moment kemi nevojë për futbollistë që luftojnë dhe impenjohen në maksimum, qoftë në stërvitje dhe në ndeshje.
-Kalendari i vështirë...
Në vështirësi rriten karakteret, personalitet. I dua ndeshjet e tilla. Do përgatisim ndeshje pas ndeshje. Përqëndrimi maksimal është te ndeshja nesër. Kemi përballë skuadër të fortë, që ka luajtur shumë bashkë, i dinë të gjitha lëvizjet sepse janë të sinkronizuar shumë mirë si grup. Jam munduar që skuadrës t’i sjellim sa më shumë informacione, kemi analizuar kundërshtarin. Do të mundohemi që t’i mbyllim pikat e tyre të forta. Normalisht kemi përgatitur një plan, që mezi pres të shoh skuadrën nesër.
-Ndeshja në “Selman Stërmasi”
Zakonisht si trajner dua të kem fushë të mirë sepse normalisht kërkoj nga skuadra që të ndërtojmë dhe të kemi topin sa më shumë. Me topin në këmbë mund të dalim te idetë apo filozofia jonë. Jemi tek ajo fushë, e dimë që do e na vështirësojë neve dhe Egnatias. Duhet të bëjmë maksimumin, pavarësisht fushës duhet të sakrifikojmë gjithçka për rezultatin pozitiv.
-'Receta' për fitoren?
Skuadra po punon, të përmirësohemi. Më bën të besoj te grupi sepse shoh dëshirën dhe vullnetin e tyre, për t’u përmirësuar dhe për të ecur mbarë. E dimë që ka vështirësi po mundohemi të përmirësojmë gjërat, në momentin që kishim 2 javë dhe punuam me skuadrën, vërtetë ndeshja në Vlorë na ka bërë të besojmë te grupi, që do të kemi ecuri pozitive në këto 6 ndeshje. Duke i marrë një nga një, nga ndeshja nesër. E dimë që çdo pikë e rëndësishme sepse vërtetë kemi skuadra të forta, që do të përballemi deri në fund të kampionatit.
-Fitorja 1-0 e Dritës kundër Shkëndijës?
Shfrytëzoj rastin të gjithë shqiptarëve t’u uroj Ditën e Pavarësisë. Ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë, një koreografi jashtëzakonisht e bukur për t’u parë nga të dyja tifozeritë. Edhe ndeshja e luftuar nga futbollistët.
-Një pikë me Egnatian
Duke parë që kemi përballë kampionen në fuqi, padiskutim që do të ishte pikë e mirë. Si trajner gjithmonë mundohem ta bind skuadrën, se duhet të futemi për ta fituar takimin. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Do nga çdo futbollist maksimumin, përqëndrimi në nivelin e duhur sepse është skuadër që lëviz shumë mirë në fushë.
-Merkato
Është herët për të folur për këtë pjesë. Përqëndrimi im si trajner dhe stafit, është që këto futbollistë që kemi t’u marrim më të mirën. Çdo futbollist po mundohet të përmirësohet, po mundohet të ndihmojë skuadrën. E shoh grupin të bashkuar, ne si staf na mbetet që t’u marrim më të mirën. Pasi të mbarojë kampionati, të ulemi dhe të bëjmë analizë më të thellë. Ta vlerësojmë se ku kemi nevojë të reagojmë si skuadër", tha trajneri Ardian Nuhiu.
Pas 12 javëve të luajtura, Tirana me shtatë pikë mban vendin e fundit, ndërsa Egnatia me 22 pikë mbetet në pozitën e tretë.
Superliga e futbollit nis sot me raundin e 13-të. Në orën 18:00 luhen ndeshjet AF Elbasani - Partizani dhe Vllaznia - Teuta.
Komente












