Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), njoftoi të shtunën herët se u ka kërkuar dy partive më të mëdha opozitare në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), t’i paraqesin së bashku tre kandidatë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Thirrja e partisë në pushtet të shtunën - e cila sipas saj vlen deri të dielën në mbrëmje - vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën.

LVV theksoi në Facebook se do t’i tërhiqte kandidatët e deritanishëm të saj - zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku - nga gara për president, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.

Ajo shkroi se ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë të premten mbrëma.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi LVV. 

Ajo tha se që të tre kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”. Vetëvendosje tha se për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkroi LVV-ja.

Në përgjigje, sot pas një séance plenare, Kryetari i PDK, Bedri Hamza, tha se nuk do të propozojë asnjë. Sipas tij, PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete dhe oferta ta ndara. Deputeti  i LDK-së, Besian Mustafa, në rrjetin social tha se vetë ai e fton Lëvizjen Vetëvedosje dhe PDK-në të propozojnë 3 emra jo politikë deri nesër në mesnatë, kur mbaron afati kushtetues. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka ciëluar propozimin e Kurtit lojë dhe strategji për ta çuar vendin në zgjedhje.

Oferta e re e Kurtit vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit. Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Postimi i plotë i LVVV

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.