QIPRO- Rreth njëmijë investitorë kinezë kanë blerë shtëpi në Qipro gjatë vitit të kaluar, duke përfituar edhe një marrëveshje, që garanton lëvizjen e tyre të lirë në Evropë, njoftoi e përditshmja "The Sunday Times".

Vendi, që ndodhet në vështirësi ekonomike, rishikoi procesin e vizave për emigrantët e pasur, në përpjekje për nxitjen e investimeve, duke u zotuar për zbatimin e tij për dy ose tre muaj.

Çdokush që blen një shtëpi me vlerë 300 mijë euro ose më shumë do të gëzojë të drejtën e rezidencës së përhershme në Qipro, me kusht që personi në fjalë të mos ketë precedent penal dhe të depozitojë të paktën 30.000 euro brenda tre vjetësh në një bankë qipriote. 

Rreth 80 për qind e kinezëve janë grumbulluar në Pafos, qytet turistik në bregun jugperëndimor, ku muajin e kaluar kompania "China Glory National Investment", me qendër në Hong Kong, u angazhua për investimin e 290 milionë eurove në një resort golfi prej 1.5 miliardë eurosh.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)