ZAGREB - Kroacia bëhet zyrtarisht pjesë e BE-së më 1 korrik, duke u bërë shteti i 28-të i Unionit Europian, një proces që nisi disa vite më parë.  Sot u firmos nga të gjithë ministrat e jashtëm e vendeve anëtare edhe fotoja e grupit.

Në vitin 2001 filloi nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për të vazhduar me aplikimin për anëtarësim në vitit 2003.

Ndërsa statusin e kandidatit, Kroacia e ka fituar në vitin 2004 dhe një vit më vonë filluan negociatat të cilat përfunduan më 30 qershor të vitit 2011 dhe me datën 1 dhjetor 2011 Parlamenti Europian miraton hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Europian.

Në janar të vitit 2012 u zhvillua referendumi i dytë pas pavarësimit të shtetit kroat në vitin 1991, në të cilin 66 për qind e qytetarëve i thanë po anëtarësimit kroat në Unionin Evropian. Hyrja e Kroacisë në BE vjen në një kohë të vështirë për Bashkimin Evropian e cila është përfshirë nga një krizë e keqe ekonomike.

Shumë analistë kanë shprehur frikën se Kroacia do të bëhet si Greqia e zhytur në recesion të thellë pasi vendi është në borxhe, e korruptuar dhe e rrënuar nga papunësia e lartë.

Por disa janë optimistë duke thënë se procesi i afrimit të BE-së me të gjithë rajonin duhet të vazhdojë dhe se Kroacia do të luajë këtu një rol pozitiv dhe aktiv.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)