ZAGREB - Prej orës 00::00 të 1 korrikut 2013 Kroacia është zyrtarisht anëtare e Bashkimit Evropian. “Mirëserdhët në Bashkimin Evropian”, ka thënë mbrëmë në gjuhën kroate presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. 

Mbrëmë mijëra qytetarë kishin mbushur sheshin e festimeve për anëtarimin e Kroacisë gati dy dekada pas fundit të luftës për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vitesh reforma.

Ndërsa sot paradite në një ceremoni speciale u hap zyrtarisht Shtëpia e Evropës në Zagreb ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Parlamentit Europian Martin Shulz dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso si dhe nga personalitete të shumta Europiane.

"Sot hapet një kapitull i ri për Kroacinë dhe Bashkimin Europian"- theksoi presidenti i PE-së Martin  Schulz duke shtuar se shtëpia e Europës do i shërbejë interesit të qytetarëve.

CEREMONIA MBREMJEN E DJESHME, JOSIPOVIC: FESTOJME ME KRENARI
Në një performancë të pazakontë, ka qenë pikërisht presidenti Ivo Josipoviç që ka luajtur në piano për popullin e tij “Odën e Gëzimit” nga simfonia e 9-të e Bethovenit e cila njihet si himni Evropian.
"Në historinë e një kombi, ka pak ngjarje të tilla si kjo," tha Presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviç udhëheqësve rajonalë dhe të BE-së gjatë një darkë formale. "Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është konfirmimi, se secili prej nesh i takon grupit demokratik dhe vlerave kulturore europiane."
Në mesnatë, himni evropian është dëgjuar në Zagreb, Split, Rijekë, Osijek, Dubrovnik dhe disa qytete të tjera më të vogla kroate. Në ceremoninë madhështore ishin të pranishëm dhjetra krerë të shteteve të ndryshme të rajonit pëfshirë kryeministra dhe ministra si dhe një delegacion i Bashkimit Evropian, përfshirë Presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidentin e Parlamentit Martin Schulz.

“Realiteti kroat, pavarësisht nuancave me të cilat e përjetojmë, është krejtësisht ndryshe nga ai kur kemi nisur rrugën për pavarësi dhe për krijimin e shtetit tonë. Dhe, pikërisht këtë realitet, sot e festojmë me krenari”, tha mbrëmë presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, në dollinë me të ftuarit në darkën solemne në Zagreb.

Kryeministri Zoran Millanoviç ka falënderuar mysafirët e vendeve të tjera evropiane për rëndësinë që i kanë dhënë momentit.

“Prania e të gjithë juve në këtë mbrëmje na mbush me krenari të veçantë, ndërsa mua më frymëzon që me bindje më të madhe ta shoh gjysmë të mbushur këtë gotë dhe jo gjysmë të zbrazur”, ka thënë Millanoviç
“Njerëz, ia dolëm. Kemi përfunduar me suksese këtë punë. Urime të gjithëve”, ka qenë porosia e ministres së Integrimeve, Vesna Pusiç, për qytetarët kroatë.

Në darkën solemne ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë të vendeve të Ballkanit, mes tyre nga Shqipëria presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama. Nga Kosova ishin të pranishëm presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Qytetarët kanë festuar  dhe për sigurinë e tyre, vetëm në Zagreb u angazhuan rreth 1,100 policë. Për shënimin e kësaj ngjarjeje u akredituan rreth 700 gazetarë nga të gjitha kontinentet.

RAMA KOMENTON NE TWITTER: SHESHI I ZAGREBIT KISHTE NGJYREN E RILINDJES
Kryeministri i ardhshëm përmes Twitter përcolli emocionet e mbrëmjes solemne në Zabreg, por dhe nga sheshi i festimeve, i cili siç thotë Rama kishte ngjyrën e Rilindjes tonë
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)