ZAGREB - Kryeministri kroat Zoran Milanoviç i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare 2 ditore konfirmoi mbështetjen e Kroacisë për dhënien e statusit të  vendit kandidat për në Shqipëri.

Si kryeministri kroat ashtu dhe kryeministri Edi Rama nënvizuan se qarqet rajonale në BE bllokuan dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE.

Në orën 10:00 kryeministri kroat u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama me një ceremoni zyrtare e nderime ushtarake, që u zhvillua para godinës së kryeministrisë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
 
Në konferencën e përbashkët të dy kryeministrave Rama vlerësoi se Kroacia është një model suksesi, shembull frymëzues e partner që inkurajon Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE.

“Është histori suksesi për të gjithë rajonin “- tha Rama. Ndërsa për kryeministrin kroat mos dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë erdhi “nga një lum ngatërresash jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga brenda qarqeve të BE-së”

"Dua që të jem krejtësisht i sinqertë, Shqipëria përjetohet edhe si shtet i cili ende në rrugën e tij drejt Evropës ballafaqohet me pengesa të caktuara, ku disa prej tyre janë subjektive, që Shqipëria duhet t’i ndryshojë, por disa janë jo korrekte ndaj Shqipërisë. Kur ju flisni për mbështetjen tonë ndaj Shqipërisë për kandidaturën e saj në BE, kjo nga ana e jonë është e sinqertë. Po aq e sinqertë sa ka qenë mbështetja jonë ndaj  Serbisë. Nuk e konsideroj të drejtë faktin se Serbia i ka filluar negociatat  për anëtarësim, gjë që e kemi përkrahur, ndërkaq që Shqipëria nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim. Qëndrimi ynë është që Shqipëria të nisë sa më parë negociatat dhe ne për këtë qëllim do punojmë. Por duhet të keni parasysh se kemi vetëm një zë jo më tepër, por zëri jonë në të ardhshme do të dëgjohet”- tha kryeministri kroat, Zoran Milanoviç

STATUSI NE QERSHOR? MILANOVIC: I MUNDSHEM, NE DO JEMI KUNDER ÇDO PRAPAVIJE
Të pyetur a mendon se qershori është një datë realiste

Kryeministri kroat Milanoviç tha:Unë mendoj se PO, qershori është i mundshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, në politikë nuk mund të udhëhiqeni vetëm me kritere racionale. Ne do të jemi kundër çdo prapavjije që vjen nga disa qarqe rajonale në BE. Këto prapavija kanë qenë edhe kur kemi pasur ne negiociata”
Kryeministri Rama: "Prapavijat funksionuan në dëm të marrjes së këtij vendimi por jam i bindur se gjithsesi ky proces mbetet një proces që është i domosdoshëm si proces modernizimi, dhe europianizimi në Shqipëri. Çka do të thotë se pavarësisht nga këto data duhet të vazhdojmë rrugën tonë të bindur se integrimi europian është një udhëtim brenda vetes për një Shqipëri më të mire”

RAMA: NUK MBYLLIM AMBASADEN NE KROACI, DUAM TE FORCOJME LIDHJEN
Rama mohoi mbylljen e ambasadës shqiptare në Kroaci.
"Më vjen keq që jehona e titujve të pavërtetë mbërrijnë në Zagreb. Kroacia është një pikë referimi.  Është shembull dhe partner rajoni me të cilin duam të forcojmë lidhjet. Është tërësisht e pavërtetë. E kundërta është e vërtetë, jemi në një proces reformimi të shërbimit tonë diplomatik, në një proces të racionalizimit të burimeve tona diplomatike."

MBLEDHJE TË PËRBASHKËT ME QEVERINË KROATE? DY KRYEMINISTRAT: S’KEMI NGUT

Rama: Unë do të vizitoj Kroacinë me ftesë të mikut dhe kolegut dhe në vijim do të diskutojmë bashkarisht dhe asgjë nuk përjashtohet por nuk ka as ngut.  
Milanoviç: Kryeministri Rama  e dha përgjigjen


SOT TAKIM DHE ME PRESIDENTIN NISHANI E BASHEN
Sot Milanoviç do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
 
Shqipëria dhe Kroacia janë në marrëdhënie diplomatike prej më shumë se 20 vjetësh dhe po ashtu në vitin 2009 janë bashkuar në NATO.

Lidhja mes dy vendeve konsiderohet model për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në gjithë rajonin e Ballkanit.
 
Në vizitën e kryeministrit kroat do të ketë qasje dhe iniciativa të përbashkëta për çështjet rajonale, do diskutohet për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimi në fusha të përbashkëta në infrastrukturë dhe energji. Vitin e kaluar të dyja vendet nënshkruan një memorandum mbështetje dhe bashkëpunimi në realizimin e TAP.
 
Redaksia online
(sg/ac/shqiptarja.com)