ZAGREB - Të hënën, Kroacia bëhet vendi i 28-të i bllokut europian dhe aderimi i saj në Bruksel shihet si një triumf i projektit evropian për t’iu afruar Ballkanit. Vendi me një popullsi prej 4.2 milionë është duke u përgatitur për një festë madhështore me fishekzjarre dhe muzikë për hyrjen e saj historike në BE më 1 korrik 2013. Por sfida të mëdha qëndrojnë përpara për shtetin e ish-Jugosllavisë me një ekonomi të lëkundur, papunësi të lartë dhe konkurrencë të ashpër.

Për 14 vjet në rrugën drejt Bashkimit Europian bisedimet e Kroacisë kanë qenë të vështira për shkak të luftimeve të brendshme politike, problemeve me fqinjët dhe çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi perfekt nga 1 korriku,-është shprehur në një intervistë presidenti kroat, Ivo Josipovic,-por së bashku me BE-në, ne kemi mundësi të luftojmë krizën ekonomike më mirë sesa të jesh i vetëm.”

“Kroacia e sheh BE-në, kryesisht si një projekt paqeje dhe një treg të përbashkët ekonomie",-ka shtuar presidenti. Josipoviç tha se Kroacia dëshiron të ndihmojë fqinjët e saj ballkanikë "politikisht dhe teknikisht" për të fituar anëtarësimin në BE.

Vendi ballkanik është shkatërruar nga një luftë që vrau rreth 10 mijë njerëz dhe shkaktoi qindra mijë të pastrehë, kur minoritet serb në Kroaci u rebelua kundër shpalljes së pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991. Megjithatë, duke pranuar se Kroacia ka bërë përparime të mëdha në kapërcimin e luftës dhe autoritarizmit, nuk janë këto arsye bindëse se pranimi i vendit në BE mund të jetë i parakohshëm.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)