SARANDË-Kroçera “MSC Musica” po zbarkon pothuajse çdo javë në portin e Sarandës, duke sjellë mijëra turistë nga vende të ndryshme të botës. Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike. Vetëm gjatë këtij viti në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.

Ditën e djeshme në Sarandë mbërriti  kroçera  nga porti i Pireut, Greqi me  3 111 turistë nga Taiwan, Kinë, Tajlanda, Ukraina, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, Rusia, Uruguaji, Zelanda e Re, etj.

Turistët e huaj gjatë qëndrimit në Sarandë vizituan pikat turistike të qytetit, si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, si dhe qytetin e Gjirokastrës.

Sipas portit të Sarandës, pas vizitës në Sarandë kroçera u drejtua në portin e Dubrovnikut, në Kroaci.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik ka një fluks të shtuar.

Saranda e njohur për plazhet e mrekullueshme dhe ujin kristal është kthyer në destinacionin e preferuar të turistëve vendas e të huaj. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj, sic  është kalaja e Lëkurësit  apo Parku Arkeologjik i Butrintit me historinë e tij mijëravjeçare.