KRUJEN - Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar kandidatin për deputet të Krujës, Bujar Dervenin. Në fjalën e tij, Meta e cilësoi Krujën si një qytet të lavdishëm i cili i mbush të gjithë shqiptarë me krenari për të kaluarën por edhe në frymëzim për të ardhmen. "Jam i bindur se duke propozuar apo duke mbështetur një përfaqësues të denjë të këtij komuniteti të mrekullueshëm të qytetarisë, të urtësisë dhe mençurisë krutane dhe të intelektualëve krutanë, si Bujar Derveni, ne tregojmë respektin, vëmendjen dhe vullnetin tonë për t’i dhënë qytetit të Krujës dhe të gjithë krutanëve mbështetjen më të madhe për përfaqësuar me dinjitet në Parlamentin e ardhshëm dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore të vendit”, tha ai.

Meta foli më pas edhe për miratimin e tre ligjeve të integrimit duke vënë në dukje se "kontributi i LSI-së në miratimin e tre ligjeve, do të ngelet historik", duke iu referuar faktit që kompromisi i propozuar nga kjo forcë u vlerësua nga partitë dhe u votua në Kuvend. "Edhe integrimin evropian ne e kemi si një angazhim madhor në shërbim të vendit, të zhvillimit të tij, të progresit të tij.  Ishte LSI ajo që bashkoi Parlamentin shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për një qëllim të përbashkët, për të votuar tre ligjet, në mënyrë që Shqipëria brenda këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat dhe unë jam i bindur që ne do ta marrim dhe kontributi i LSI-së do të ngelet një kontribut historik. Vendi ka nevojë për ndryshime më të mëdha. Slogani ynë është “Të ecim më shpejt”, që do të thotë se ne nuk mohojmë arritjet e deritanishme por ne jemi të bindur se po të vazhdohet me këtë vetëkënaqësi, po të vazhdohet me këtë eufori problemet do të shtohen akoma më shumë. Vetëm pak ditë më parë raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tregonte qartë se në tre muajt e parë të këtij viti ekonomia jonë u rrit vetëm me 0.5%. Kjo do të thotë se jemi shumë pranë recensionit apo rënie ekonomike, jo rritjes”, deklaroi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)