KRUJË- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte në Maternitetin e Krujës, ku prej Janarit janë realizuar 67 lindje, një shërbim ky që mungonte prej disa vitesh.
Duke dorëzuar çekun e bebes dy prindërve që sapo ishin gëzuar me fëmijën e tretë, Manastirliu ka folur për përmirësimet në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore ndërsa u ndal tek programi i Bonusit të Bebes, ku dhe ka shpërndare çekun e bebes.
“Prej 1 Janarit qeveria ka vendosur që të gjithë të porsalindurit t’i shpërblejë me një bonus. Për t’i uruar mirëseardhjen në jetë bebes tuaj që tashmë është e rregjistruar në gjendjen civile direkt këtu në maternitetin e Krujës, i takon një shpërblim prej 1 milion e 200 mijë lekë, sepse ju e keni fëmijën e tretë. Çeku është një shpërblim financiar për ju që mund ta merrni menjëherë sapo dilni nga materniteti. Kemi vendosur që çeku i jepet vetëm mamave dhe përdoret për shërbimet e para të fëmijës”, tha Manastirliu ndërsa u dorëzoi prindërve çekun e bebes.
Duke vënë në dukje ndryshimet që kanë ndodhur në spitalin bashkiak të Krujës ku materniteti për herë të parë ka filluar pas disa vitesh të funksionojë në sajë të investimeve të realizuara dhe programit të patronazhit, Manastirliu tha se Bonusit i bebes është një program i konsoliduar tashmë, pasi është vendosur edhe në ligjin e ri të Asistencës Sociale. Nga 1 Janari janë rreth 15 mijë familje që kanë përfituar çekun e bebes, me një fond prej 900 milionë lekë.
“Bonusi i bebes tashmë është një program i konsoliduar. Parlamenti në seancën e tij të fundit në ligjin për asistencën sociale me propozimin e qeverisë shqiptare ka miratuar që bonusi i bebes të jetë një program i vendosur në ligj. Janë 15 mijë familje shqiptare që e kanë përfituar deri në 15 korrik, janë 900 milionë lekë të cilat kanë vajtur në familjet shqiptare, që janë gëzuar me fëmijën e parë, të dytë, apo të tretë”, tha ministrja.
Politika e re sociale e Qeverisë që mbështet familjet e reja, me pagesën universale të Bonusit të Bebes, jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik. Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë Lekë; për fëmijën e dytë 80 mijë Lekë; për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë Lekë për çdo fëmijë.