Kryebashkiakja e Gjirokastrës:
Me fat që Kadare është biri ynë

Kryebashkiakja e Gjirokastrës:<br />Me fat që Kadare është biri ynë
​“Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke patur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap është gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”.
 
Kështu më shkruante ndër të tjera shkrimtari ynë më i madh, një ndër krenaritë jo vetëm të Gjirokastrës, Ismail Kadare në përgjigje të ftesës së bashkisë për të qenë i pranishëm në shtëpinë dhe qytetin ku u lind 80 vjet më parë.

Ishte një letër emocionuese dhe jam ndierë me fat, që këta rreshta të thjeshtë në dukje, por që në tërësi përbënin një mrekulli, nëpërmjet meje i drejtoheshin banorëve të Gjirokastrës.

Kjo letër ishte një tjetër surprizë brenda pak kohësh nga shkrimtari, pas takimit që zhvillova me të. Takim që ndryshe nga sa ishte menduar, nuk kishte asnjë kornizë dhe u kthye në një bisedë të ngrohtë, si ajo që mund të kenë miq të vjetër, pavarësisht se jemi shumë të rinj.

Këto mbresa, natyrisht që e bëjnë në sytë e mi shumë më emocionues 80-vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave, njeriut që Gjirokastra pati fatin ta ketë birin e saj. Natyrisht që emocionet shkojnë paralelisht me përgjegjësinë për të kremtuar këtë ditë të rëndësishme, që përtej një date të shënuar në jetën e shkrimtarit, është një ditë tepër e rëndësishme edhe për qytetin ku u lind. Jam e bindur se çdo banor i qytetit e ndien se këtë festë ia kemi detyrim Ismail Kadaresë, si shenjë mirënjohjeje e kujtese të përjetshme.

Ndoshta aktivitetet nuk janë shumë të mëdha dhe përmasa e tyre nuk mund të krahasohet me përmasën e Kadaresë, por gjithçka, duke filluar nga detaji më i vogël është bërë me shumë dashuri. Dashuria është dhurata më e mirë për shkrimtarin, që e mori muzën nga Gjirokastra dhe e shpërndau anembanë globit. Ndaj me shumë dashuri i uroj: Jetë të gjatë! Për vete, për familjen dhe për gjithë adhuruesit që dëshirojnë ta shijojnë sa më gjatë magjinë e penës Suaj!

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor