Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, ka kundërshtuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme akuzën e SPAK se ka ushtruar presion ndaj një qytetari që të mos votojë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Gjatë seancës Bufi kundërshtoi akuzat duke pretenduar se nuk ka ushtruar presion apo ndikim tek asnjë qytetar, teksa e deklaroi veten të pafajshme.
SPAK e ka marrë të pandehur Bufin për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. SPAK ka kërkuar dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg si dhe konvertimin e tij në shërbim prove për 2 vjet. Seanca për shpallje vendimi nga Gjykata e Posaçme u la për më 1 korrik në orën 10:00.
Hetimi ndaj kryebashkiakes nisi pas një denoncimi të publikuar në media, ku pretendohej se ajo i kishte kërkuar një qytetari të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitetet e forcave të tjera politike.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









