Kryebashkiaku i Kamzës kishte
vulën e KZAZ nr.27 në banesë

TIRANE- Kontrolli policor në banesën e kryebashkiakut Xhelal Mziu, ka zbuluar prova të tjera, që mund ta inkriminojnë në një vepër tjetër penale përfaqësuesin e Partisë Demokratike në Kamëz. Agjentët e sektorit antikorrupsion në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, gjatë kryerjes së kontrollit të banesës me qëllim gjetjen të provave që mund ti shërbenin hetimit të prokurorisë, kanë zbuluar një tjetër provë që lidhet me procesit e numërit të votave në KZAZ nr.27 në Kamëz. Sipas policisë së Tiranës dhe njësisë hetimore Task-Forcë në prokurori bëhet fjalë për një vulë të kësaj KZAZ që është gjetur në njërin nga komodinat, që janë kontrolluar në banesën e kryebashkiakut Mziu.

Nuk dihet nëse kjo e fundit është e falcifikuar ose jo, por burime pranë prokurorisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se do verifikojnë me imtësi të gjithë procedurën se si është gjëndur në banesën e Mziut, vula zyrtare që lejohet të përdoret ditën e numërit të fletëve të votimit në KZAZ nr.27, vetëm nga komisioni i numërimit. Pikërisht kjo vulë tashmë duhet të ishte e inventarizuar në magazinat e Komisionit Qëndror të Zgjedhësve, por në fakt është gjetur në një nga komodinate shtëpisë së Xhelal Mziut në Kamëz.

7025 vota para
Vula që është gjetur nga policia e Tiranës në shtëpinë e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu, dyshohet se është përdorur në skenarin e vjedhjes së votave në qëndrën e numërit nr. 27, që ka qënë vendosur pranë ambjenteve të shkollës “Ibrahim Rrugova”. Nga numërimi i fletëve të votimit në këtë qëndër, rezulton se Partia Demokratike ka marrë 17.397 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 10.372 vota, duke kryesuar Partia Demokratike me 7025 vota përpara. Ndërsa si koalicione, koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” ka marrë 20.981 vota, rreth 7500 vota më shumë se “Aleanca Shqipëria Evropiane” e Partisë Socialiste me aleatët e saj ose 63 për qind koalicioni i djathtë kundrejt 37 për qind të koalicionit të majtë.

Është për t’u nënvizuar se procesi i numërimit është zhvilluar në mënyrë normale, mjaft të rregullt, ashtu si edhe procesi i votimit të dielën më 23 qershor. Ditët në vijim prokuroria e Tiranës do të kryejë verifikime për të mësuar nëse vula në fjalë është përdorur në fletët e votimit të numëruara si dhe në proces-verbale. Ndërkohë që shumë shpejt do urdhërohet kryeja e një ekspertimi, për të mësuar nëse ajo është e falcifikuar ose jo.

Shmangia e qëllimshme
Sipas hetimeve të prokurorisë kompania “Gjoka Konstruksion”, pasi ka parë njoftimin në faqen zyrtare të APP është paraqitur në bashkinë e Kamzës, më datë 30 gusht 2013, për lidhjen e kontratës. Në këtë datë kontrata nuk është lidhur dhe Drejtori i Drejtorisë Juridike të Bashkisë Kamëz shtetasi Atlis Hoti, i ka kërkuar përfaqësuesit të subjektit që të vinte një ditë tjetër. Ata kanë shkëmbyer dhe numrat e telefonit celular së bashku.

Përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” ka komunikuar disa herë në telefon me shtetasin Atlis Hoti, por ky i fundit në mënyrë të vazhdueshme i tregonte pretendime të reja, të cilat nuk bënin të mundur lidhjen e kontratës. Komunikimi nëpërmjet telefonit ndërmjet të dyve ka vazhduar deri më datë 12 shtator 2013. Pas kësaj date shtetasi Atlis Hoti nuk ia ka hapur telefonin përfaqësuesit të shoqërisë “Gjoka Konstruksion”. Përfaqësuesi i shoqërisë është paraqitur edhe pas datës 12 shtator 2013, në Bashkinë Kamëz, me qëllim që të komunikonte me përfaqësues të këtij autoriteti kontraktor, por e ka pasur të pamundur për shkak se në zyrat e Bashkisë, e linin të priste pa fund duke mos u përgjigjur as në telefon.

“Masa sigurimit” Të hënën, Mziu para gjykatës së Tiranës
Xhelal Mziu, pritet të dalë para gjykatës së Tiranës ditën e hënë, ku do të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë prokuroria e Tiranës. Kërkesa e prokurorisë është depozituar në sekretarinë e gjykatës, vetëm për kryebashkiakun Mziun, ndërsa për avokatin e bashkisë Atlis Hoti, i cili është ende në kërkim, masa do të zhvillohet pasi ai të arrestohet. Momentalisht Xhelal Mziu, qëndron në ambjentet e policis së Tiranës, ndërkohë që ka marrë një takim me avokatin e tij. Xhelal Mziu akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pabarazisë në tendera”.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Vorë/ Shfrytëzonin biznesin për lojëra fati dhe baste online, arrestohen dy kushërinjtë

Vorë/ Shfrytëzonin biznesin për lojëra fati dhe baste online, arrestohen dy kushërinjtë