Kryetari i bashkisë Kolonjë, Erion Isai u paraqit mesditën e kësaj të enjteje në SPAK, ku dëshmoi përreth 2 orë.

Në fillim të nëntorit, Prokuroria e Posaçme zgjati me tre muaj hetimet për Isain dhe 5 zyrtarët e tjerë të bashkisë për dy tenderat, atë të rrugës Korçë-Ersekë dhe për Ujësjellësin e Kolonjës. Ata akuzohen për shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.

Tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj 2023. Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila dyshohet se kishte lidhje me Isain.

Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve. Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro. Nga një verifikim i Report Tv, A & E ENGINEERING, rezultoi mbikëqyrëse e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese.

Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në vitin 2022, për Lotin e Dytë u dhanë mbi dy miliardë lek nga buxheti i shtetit, ose 21 milionë euro. Përveç komunikimeve të akuzave, SPAK po vijon hetimet për rolin e ARRSH si autoritet tenderues dhe kompanisë A.N.K e cila ka përfituar tenderin dhe ka kryer punimet e rrugës Korçë-Ersekë. Kjo firmë ndërtuese rezulton në pronësi të Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola.

Traseja e rrugës Korcë-Ersekë u shemb në ndërtim e sipër në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit- Mollas’. Vetëm pak ditë pas shembjes u depozitua padia e avokatit nga Korça Esmerald Xhafa i cili akuzonte dy kompanitë, Bashkinë Kolonjë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.