Kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të lirojë menjëherë 11 protestuesit e arrestuar. Nga Miloti, ku ishte pjesë e protestës së opozitës në këtë aks, Shehu deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe organet shtetërore duhet të sigurojnë protestat.

“I bëjmë thirrje kryeministri Rama të lirojë menjëherë protestuesit e arrestuar, janë hallexhinj. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, organet shtetërore duhet të sigurojnë protestat. Rama të shikojë dhe të bëjë punët e tij të përditshme, pasi qytetarët nuk mund të durojnë më”

Bashkim Shehu, kryebashkiaku i Kukësit

Shehu ka reaguar dhe pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend, i cili tha se nuk do të vendoset taksa për Rrugën e Kombit, derisa të gjendet një zgjidhje. Shehu deklaroi se opozita sot është në mbështetje të qytetarëve, që sipas tij, e kanë marrë fatin në dorë. Ai theksoi se protesta ishte e shëndetshme dhe do të t’i mbështesë gjithmonë kur janë paqësore dhe për kërkesa ekonomike.

“Unë mendoj se sot nuk ishim në mbështetje të askujt. Sot ishim në mbështetje të qytetarëve, që tashmë e kanë marrë fatin në dorë dhe patjetër që kuksianët treguan se në këtë vend funksionon demokracia. Protesta shumë e shëndetshme dhe do vazhdojë t’i mbështesë gjithmonë kur janë paqësore dhe kur jemi për kërkesa ekonomike, kërkesa që ndihmojnë njerëzit në përditshmërinë e tyre.

Nuk jam grup organizator në qendër, jam kryetar i Bashkisë Kukësit, më interesojnë interesat e qytetarëve të Kukësit, më interesojnë interesat e të gjitha shtresave dhe përfaqësuesve të Kukësit. Jam pro dhe do mbështes vetëm qytetarët e Kukësit. Patjetër sot ishim në mbështetje dhe bashkëpunim me gjithë zonat përreth, me Shkodrën, Milotin, Lezhën”

Bashkim Shehu, kryebashkiaku i Kukësit