ANTEA Cement Sh.A është një nga investimet më të mëdha industriale pro-ambjentit, e realizuar në Shqipëri nga Grupi TITAN. Fabrika, e cila ndodhet pranë Borizanës mund të prodhojë një total prej 1.5 milion ton çimento në vit. Funksionimi i fabrikës ka si qëllim jo vetëm të ulë nevojën për importimin e çimentos në vend por të nxisë investime të reja në zhvillimin e ndërtimit dhe infrastrukturës, si dhe eksportet.
Qëllimi i vizitës së Kreut të Inspektoriatit të Punës Dritan Ylli dhe homologëve të tij nga rajoni ishte vlerësimi i kompanisë Antea Cement për standardet më të larta të përdorura në Shqipëri në lidhje me kushtet e punës, sigurinë në punë si dhe trajtimin e punonjësve.
Drejtuesit e Inspektorateve të Punës nga Shqipëria e rajoni u pritën nga Drejtori i Fabrikës, Georgios Batsakis, i cili bëri një prezantim të mënyrës se si funksionon fabrika, teknologjia që përdoret, profesionalizmi i lartë dhe garantimi i kushteve të sigurta në punë.
Duke pasur si prioritet kryesor sigurinë e jetës së punonjësve, kompania ka marrë të gjitha masat si vlerësimin e rrezikut, trajnime profesionale, ekspertizën e duhur, përdorimin e pajisjeve mbrojtjëse duke shmangur çdo aksident sado të vogël, që mund të rrezikojë jetën e punonjësve."Për ne është një nder dhe kënaqësi të vlerësohemi si një nga kompanitë me standardet më të larta në Shqipëri. Antea Cement, pjesë e grupit TITAN, është fokusuar në mbajtjen e standardeve më të larta të punës, e sigurisht prioritet është garantimi i kushteve të sigurta në punë. Është kënaqësi për ne të evidentojmë se aktualisht kompania ka punësuar rreth 208 punonjës direkt dhe 487 punonjës nga kontraktorët e kompanisë."- u shpreh Drejtori i Fabrikës.
Kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli u shpreh i impresionuar nga standardet e larta të punës që Antea Cement zbaton në veprimtarinë e punës së saj.
Ylli tha se ky, është një investim i rëndësishëm dhe njëkohësisht shembull në standardet e larta me të cilat punohet, jo vetëm për nga teknologjia e sofistikuar, por edhe nga standardet e ndjekura në lidhje me kushtet e punës.
Fabrika Antea Cement është investimi më i madh privat i realizuar nga partnerë të huaj në Shqipëri deri më sot dhe është një nga investimet më të mëdha të bëra gjatë viteve të fundit nga grupi TITAN, që kap vlerën 200 milion Euro.
Qëllimet e Antea Cement janë sigurimi i çimentos në mbështetje të zhvillimit të infrastrukturës dhe të programit kombëtar të ndërtimit duke përfshirë rrugët, spitalet, shkollat dhe ndërtesa të tjera; të reduktojë nevojën e Shqipërisë për importin e çimentos, për të mundësuar eksportin e çimentos tek vendet e tjera me pasojë përmirësimin e gjendjes financiare të vendit (Bilancin Tregëtar me Jashtë) si dhe të rrisë zhvillimin në nivel lokal dhe kombëtar nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së mundësive për zhvillim të mëtejshëm. /a.gegvataj/