Kryemadhi 'thumbon' Lu:S'lëmë
jabanxhinjtë të na zgjidhin punët

Kryemadhi 'thumbon' Lu:S'lëmë<br />jabanxhinjtë të na zgjidhin punët<br /><br>
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka vijuar replikat në distancë me ndërkombëtarët. Në mënyrë të nënkuptuar, Kryemadhi ka deklaruar se shqiptarët janë një popull që i zgjidhin vetë punët e shtëpisë së tyre dhe nuk i lënë jabanxhinjtë t’i bëjnë ato.

Me këtë, Kryemadhi thumboi ambasadorin e SHBA, Donald Lu, i cili një ditë më parë doli kundër PD dhe LSI lidhur me kërkesën për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se Kushtetuta dhe ligji janë të qarta. Në fjalën e saj me strukturat e LSI të njësisë nr. 5 në Tiranë, Kryemadhi deklaroi se Reformën në Drejtësi nuk bëjnë kriminelët dhe as politikanët, por vetëm shqiptarët.

"Shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan, një popull me shpirt e zemër të madhe, që presim e respektojmë miqtë. Por jemi dhe një popull që punët në shtëpitë tona i zgjidhim vetë dhe nuk i lëmë jabanxhinjtë të na i bëjnë. Ndaj data 27 janar është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, për të treguar që vetëm me një frymë e rrëzojmë Edi Ramën. Sepse Rama është kryeministri i asaj mazhorance që ka ardhur me paratë e drogës, por nuk mund të jetë i shqiptarëve.

Rama të ketë kujdes dhe të gjithë ata që fshihen pas hijes dhe figurës së tij. Shqipërinë nuk e kanë zhdukur me qindra vite pushtuesit, nuk mund ta bëjë një sekt, një dashakeqës i shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë roli i Shqipërisë në rajon është shumë i rëndësishëm, por nën drejtimin e Rilindjes është kthyer në destabilizuese të rajonit. Reformën në Drejtësi nuk e bëjnë as kriminelët, as deputetët, as politikanët, por vetëm shqiptarët dhe këta do të vendosin për të ardhmen e reformës. Mund të miratosh reforma sa të duash, por nëse populli të përbuzë ajo reformë nuk ka vlerë”,
tha kryetarja e LSI. 

Më tej, Kryemadhi iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës më 27 janar, teksa deklaroi se Shqipëria është vendi i vetëm që vazhdon të jetë në tranzicion. Sipas saj, në vend po instalohet një strukturë kriminale, ndaj dhe protesta e opozitës do të jetë një zile apo thirrje që del nga shpirti i shqiptarëve për të thënë që ekzistojnë.

“Të gjithë ndihen të lodhur nga klasa politike, sepse kemi 27 vjet që vazhdojmë të jemi në tranzicion. Nuk shikojmë asnjë shpresë dhe asnjë të ardhme, kjo ka një qëllim: lodhin shqiptarët, i bëjnë të varfër, sepse kështu ata iu nënshtrohen. Rama veproi në mënyrë bastarde në zgjedhjet e 25 qershorit, duke përdorur bandat e krimit për të frikësuar shqiptarët. Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët tanë të jenë shërbëtor të krimit të organizuar. Ndaj më 27 janar qytetarët e Tiranës do të protestojnë bindshëm, sepse kanë nevojë të ndihen shqiptarë në vendin e tyre. Kanë nevojë të ndihen të barabartë.

Ne sot gjendemi përball shumë fenomeneve. Shqiptarët nuk kanë nevojë për mjerim, për ta zhdukur atë duhet punë, forcë, shpresë, jetë politike të vërtetë, deputetë që ngrenë zërin për të zgjidhur problemet e tyre. Problemet e shqiptarëve sot janë të shumta, të mbartura në gjithë këto vite tranzicion. Ne duhet të japim kontributin tonë për të ndryshuar realitetin, duke bërë të gjithë nga pak. Jemi vendi i vetëm që vazhdojmë të jemi në tranzicion. Në vend po instalohet një strukturë kriminale. Protesta e 27 janarit është një zile, gong, thërritje nga shpirti që iu del shqiptarëve për t’iu thënë të gjithëve që shqiptarët ekzistojnë”,
tha Kryemadhi. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane