FIER- Takimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi nuk ka shkuar edhe aq mirë sa duhet.

Fjalimi i saj është ndërprerë disa herë për shkak të turmës së njerëzve, por kjo duket se kjo ka bërë që Kryemadhi të humbë durimin, e cila dëgjohet në një moment teksa thotë “Ju lutem hapuni kamerës, se më çmendët”.

Ajo tha se 25 prilli, do të jetë dita kur duhet të largohet kryeministri Edi Rama.

“Kryeministri në ikje, i cili ka mbushur fasadat e të gjithë Shqipërisë me fytyrën e tij të mbuluar, sepse nuk ka guximin të tregojë fytyrën e tij të vërtetë, sepse është fytyra e mashtrimit dhe fytyra e grabitjes së të ardhmes së shqiptarëve. Ai ka zaptuar sot çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, ai ka zaptuar sot çdo moment të jetës shqiptare. Por ai më 25 prill, do të largohet duke marrë votën tuaj për numrin 6 në kutinë e votimit, sepse ju do të votoni për këtë ekip të mrekullueshëm. Do të votoni për burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e Fierit, të Roskovecit, të Patosit, të Lushnjes, të Divjakës”, tha Kryemadhi.

Teksa renditi një sërë mungesash që sipas saj, Shqipëria ka nevojë, zgjidhjen Kryemadhi e sheh në votimin e LSI-së në 25 prill.

“Shqipëria sot ka nevojë për të rritur standardin e jetesës së familjeve shqiptare.  Shqipëria sot ka nevojë për të krijuar më shumë hapësira, më shumë fuqi ekonomike për gratë dhe kryefamiljaret tona. Shqipëria sot ka nevojë për forcën e gruas dhe të vajzës. Jo vetëm në politike por dhe në zbatimet e saj. Shqipëria sot ka nevojë për djemtë e saj, për burrat e saj sepse sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për njeri tjetrin. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë t’i japim dorën njeri tjetrit sepse duke qenë solidar, ne jemi socialistët e vërtetë, ne jemi ata që mbajmë flamurin e kuq, ne jemi ata që nuk tradhtojmë njerëzit tanë. Ne jemi ata që mbajmë premtimet dhe ne jemi ata që i mbajmë njerëzit dhe i qëndrojmë angazhimeve”, pwrfundoi Kryemadhi.