Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh te "5 pyetjet nga Babaramo" se ministrat e LSI janë përgjuar 4 vite rresht nga Ministria e Brendshme. 

Sipas saj, pjesë e përgjimeve ka qenë edhe ish-kryetari i Kuvendit, aktualisht President i Republikës Ilir Meta. 

Monika Kryemadhi: Mund të them që ministrat e LSI kanë qenë të survejuar në mënyrë permanente nga segmentet e Ministrisë së Brendshme të Tahirit. Çdo ministër është përgjuar në mënyrë permanente në zyra, në makinë, kudo, në institucione. Mos të flasim pastaj për zhveshjen e kompetencave të ministrive. Drejtorët e Përgjithshëm të LSI thirrini, kanë qenë 4 vjet në survejim, në përndjekje të jashtëzakonshme, jo vetëm nëpërmjet telefonatave, por edhe ambienteve familjare.

Ilir Babaramo: Ku e keni mësuar këtë gjë?
Monika Kryemadhi:
Këto janë faktike. Po të shkoni sot të kërkoni në Ministrinë e Brendshme nëse nuk i kanë djegur, do të shikoni file të tëra, zbardhje bisedash jo vetëm të ministrave të LSI, por edhe të deputetëve dhe ndonjë elementi tjetër.

Kryetari i Kuvendit ka qenë i përgjuar?
Monika Kryemadhi:
Sigurisht. As nuk ka dyshim për këtë. Përderisa çdo gjë ishte ne efeciencë të plotë. Duke qenë se ministrat e LSI kanë qenë të survejuar dhe duke qenë se e kanë pasur me sinqeritet, gabime kanë sigurisht, se nuk ka njeri pa gabime. Të jeni të bindur se zhveshja e institucioneve që drejtoheshin nga LSI, qoftë Ministria e Bujqësisë, Ministria e Integrimit, Ministria e Transporteve, etj, janë ministri të cilat u zhveshën dhe u zvogëluan buxhetet e tyre dhe u administruar të gjitha në Kryeministri në godinën e madhe.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com