Kryemadhi në takim me LRI:
Rama plan për të larguar të rinjtë

Kryemadhi në takim me LRI:<br />Rama plan për të larguar të rinjtë<br>
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka qenë e pranishme sot në një takim me studentët e Lëvizjes Rinore për Integrim. Ajo u ka bërë thirrje atyre që të mos mashtrohen nga ligësia sepse duke qenë të gjithë bashkë jo vetëm që do të fitojnë për të ardhmen e tyre por do të fitojnë edhe një Shqipëri e cila meriton të jetë vendi i të rinjve.

Gjithashtu Kryemadhi ka hedhur edhe akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ai kërkon që ta kthejë Shqipërinë në diktaturë të drogës, krimit e moszhvillimit. si dhe ka një plan biznesi për të larguar të rinjtë.

“Edi Rama tashmë do të na kthejë në diktaturën e drogës, krimit dhe të moszhvillimit të shtetit. Ju them me dorë në zemër, mos ndaloni, sepse vetëm forca dhe energjia juaj do ta ndalojë këtë njeri, i cili çdo ditë e më shumë jo vetëm që e urren Shqipërinë, por po e shet atë pjesë-pjesë pa asnjë lloj dhembshurie. Një komb nuk ka të ardhme pa një arsim të mirë. Nëse një komb do të jetë i paarsimuar, është i destinuar të vdesë. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjë, në asnjë moment”, është shprehur Kryemadhi.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

Dëshiroj që të falënderoja organizatorët e këtij takimi. Kjo foltore e LSI dhe ky baner nuk kanë vend këtu, por duhet të ishte simboli i Universitetit të Tiranës, duhet të ishin simbolet e universiteteve dhe fakulteteve, duhet të ishin simbolet e edukimit shqiptarë, të cilët në vite me radhë dhe në dekada, kanë shkolluar breza të tërë, të cilët jo vetëm e kanë ndërtuar këtë vend, por mbi të gjitha i kanë dhënë dinjitet, krenari për të gjithë ata studentë, për të gjithë ata të rinj dhe të reja, të cilët kanë mbaruar në radhët e Universitetit të Tiranës dhe sot janë koka të shkencës në universitetet më të njohura, qoftë në Havard, qoftë të London School of Economy, dhe në universitete të tjera me radhë. Ato ditë të ndritura çdo ditë e më shumë po zbehen në universitetet tona. Po zbehen, sepse çdo ditë e më shumë politikat e qeverisjes po shkojnë drejt mbylljes së universiteteve publike, po shkojnë drejt mbylljes së këtyre institucioneve, të cilat prindërit tanë mezi i ndërtuan, me gjak, me mund e me djersë, të cilët e ndjejnë për detyrë, sepse t’i shërbesh vendit tënd duhet të jesh i ditur.

Që t’i shërbesh vendit tënd dhe ta duash, duhet të duash librin, duhet të duash shkollën dhe mbi të gjitha duhet të punosh jashtëzakonisht shumë për të pasur universitete të forta dhe universitete kredibël. Unë ju falënderoj sot, sepse pjesa më e madhe juaja këtu, jeni mbi 1000 studentë që vini për herë të parë në një aktivitet politik dhe ju jam shumë mirënjohëse që keni pranuar të bashkëbisedoni me ne. Takimin me ju, në thelb e kemi sepse ndjejmë një problem shumë të madh. Ndjejmë një rrezik për Shqipërinë. Po ndjejmë një rrezik për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe rreziku më i madh fillon te shpopullimi i vendit tonë.

Rreziku më i madh fillon te humbja e shpresës së rinisë shqiptare. Rreziku më i madh fillon te shkatërrimi i ëndrrave dhe i të ardhmes së rinisë shqiptare. Dhe e them këtë me bindje, sepse çdo

ditë e më shumë, që dal e takoj njerëz, diku në salla të vogla, diku në salla të tejmbushura, diku në salla të përgjysmuara, diku në kafe, diku në rrugë me baltë, diku në fusha, të cilat janë fusha pjellore dhe duan t’i kthejnë në varreza të plehrave, diku nëpër spitale, ku rrinë në radhë për të marrë ilaçe, apo për të zbehur sadopak dhimbjen e kancerit, që u ka përfshirë trupin, diku nëpër oborret e shkollave, ku shitet hashashi ashiqare, diku nëpër çerdhe, ku fëmijët nuk kanë mundësi të ushqehen dhe nuk kanë energji për t’u ngrohur. Të gjitha këto ndihen çdo ditë e më shumë dhe kupton se çdo ditë e më shumë se Edi Rama ka një plan biznesi për të shpopulluar Shqipërinë.

Ka një plan biznesi për të larguar rininë shqiptare. Dhe kjo është një sinjal i rëndë për ne, është një thirrje e tmerrshme për ne, por mbi të gjitha secili nga ne duhet të marrë një përgjegjësi të madhe ndaj vetes së tij, për të ngritur atë krenari kombëtare, për të zgjuar atë ndërgjegje kombëtare, për t’u kthyer dhe për ta dashur vendin tonë më shumë se çdo gjë tjetër. E them këtë me bindje, sepse sapo vij nga Vërria, ku takova banorët e asaj zone.

Shikoja zonja të nderuara që mbi supet e tyre kishin mbi 70 vjet, të cilat kishin punuar në kooperativë gjithë jetën, kishin sakrifikuar për të rritur fëmijët e tyre, ishin bërë gjyshe dhe luftonin pa asnjë lloj dileme brenda vetes së tyre, qoftë dhe për të dalë përpara ekskavatorit, i cili do të ndërtonte një incinerator atje. Ishte e bindur sepse thoshte “Mua nuk kanë ç’të më marrin më, mi kanë marrë të gjitha, tashmë duan të më marrin jetën e nipërve dhe mbesave. Ma kanë marrë tokën, më kanë marrë ujin, dritat, bukën, tani tha duan të më japin dhe helmin, që të shuhem komplet si familje”. Dhe kjo është e tmerrshme, sepse një shqiptar nuk mund t’ia bëjë një shqiptari këtë. Kjo është e dhimbshme, sepse një polic nuk mund të godasë mbi një grua plakë. Sepse ne dëgjojmë rëndom ndërkombëtarë, ministra, deputetë, politikanë, që kur dhunohet një grua, apo vritet një vajzë, thonë denoncojeni në polici.

Po kur një polic dhunon një grua, një vajzë, ku duhet ta denoncojmë atë? Ne sot, të zhveshur nga bindjet tona politike, po iu drejtohem ju studentë të Universitetit të Tiranës, me dorë në zemër, jo me dorën në zemër si një politikane, sepse jeni lodhur nga politika, jeni lodhur nga mashtrimet e politikës, ku fajet tona çdo ditë e më shumë po shtohen. Po ju drejtohem me dorë në zemër, mos ndaloni, mos u tërhiqni, mos u nënshtroni nga padija, nga dhuna, nga ligësia, sepse vetëm duke qenë të gjithë bashkë do të fitoni.

Mos u mashtroni nga ligësia, sepse duke qenë të gjithë bashkë, jo vetëm që do fitoni për të ardhmen tuaj, por do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve. Ju them me bindje sepse sfida të mëdha do të keni përballë, do t’ju kërcënojnë, do ju nxjerrin para fytyrës librezat e notave, do t’ju kërcënojnë prindërit, do t’ju ndalojnë, do t’ju dhunojnë, do tentojnë t’ju blejnë por kurrë mos e shisni të ardhmen tuaj për një të ardhme të pasigurt, të cilën as Edi Rama vetë nuk e di se si është. Do t’ju lutesha si një nënë, e cila çdo ditë iu kërkon fëmijëve të saj që të mos ndërtojnë lumturinë e tyre mbi fatkeqësinë e të tjerëve, por ndërtojeni atë duke dashur vendin tuaj dhe duke valëvitur flamurin tonë kombëtar, sepse është më i bukuri që ekziston në botë.

Ky flamur, i cili është i ngjyrosur me gjakun e të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët kanë luftuar për Shqipërinë, e gjithë atyre arbëreshëve, të cilët mbajtën lart flamurin e Skënderbeut dhe e ngritën lart figurën e tij, e gjithë atyre rilindësve, që i kënduan vendit me dorë në zemër, e gjithë atyre partizanëve që luftuan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e gjithë atyre gjyshërve tuaj që luftuan për ta nxjerrë këtë vend nga analfabetizmi, e të gjithë atyre që kërkonin demokraci, ku u dhunuan e vdiqën në burgjet e komunizmit dhe e heronjve për demokraci që e përmbysën atë sistem.

Edi Rama tashmë do të na kthejë në diktaturën e drogës, krimit dhe të moszhvillimit të shtetit. Ju them me dorë në zemër, mos ndaloni, sepse vetëm forca dhe energjia juaj do ta ndalojë këtë njeri, i cili çdo ditë e më shumë jo vetëm që e urren Shqipërinë, por po e shet atë pjesë-pjesë pa asnjë lloj dhembshurie, dhe pa asnjë lloj ndjenje krenarie dhe kombëtare, që duhet të ketë çdo shqiptar. Ju them me bindje vetëm të rinjtë dhe vetëm ndërgjegjësimi juaj, çdo ditë e më shumë do të rrisë shpresën te prindërit tuaj. Sot, ju e ndjeni më shumë se kushdo tjetër mungesën e respektit të shtetit për qytetarin, studentët, nxënësit, mjekët, infermierët, nëpunësit, si dhe për të papunët, për policë dhe ushtarë.

Ku janë sot universitetet tona që kanë nxjerrë shkencëtarë nga më të ndriturit? Ku janë sot shkollat tona? Ku është sot libri ynë? Abetarja jonë? Ku janë sot librat e Matematikës, të Fizikës, të Kimisë? Ku janë sot librat e atyre mësuesve, të cilët kanë dhënë edhe jetën për arsimin dhe ndriçimin e shpirtit të shqiptarëve? E pra sot më shumë se kurrë, ju, me çdo shok, me prindërit tuaj, me vëllezërit tuaj, me miq e me shokë, me pedagogë, mos u ndalni, por thërritini çdo ditë për të dalë në bulevard dhe për të protestuar, jo për flamujt politikë. Mos protestoni për partitë politike. Mos protestoni as për Monikën, as për Lulzim Bashën, as për Edi Ramën, për asnjëri. Por, protestoni për veten tuaj, për të ardhmen tuaj, protestoni për një Shqipëri që e ëndërroni dhe e dëshironi.

Duke iu falënderuar për ftesën tuaj, ju ftoj të gjithëve, kështu siç jeni, që më datën 27 janar, në orën 12:00, duke marrë me vete çdo shok, duke sensibilizuar edhe pedagogët tuaj, të cilët janë ekipi më i diskriminuar në mësimdhënien shqiptare, sepse ministria jonë e famshme iu jep prioritet universiteteve private dhe cenon pavarësinë e universiteteve publike. Zgjojini pedagogët. Nxirrini nga gjumi që kanë rënë. Trimërojini ata për të dalë dhe protestuar kundër kësaj politike diskriminuese dhe kundër kësaj politike antishqiptare.

Një komb nuk ka të ardhme pa një arsim të mirë. Nëse një komb do të jetë i paarsimuar, është i destinuar të vdesë. Ne nuk do ta lejojmë këtë gjë, në asnjë moment. Duke çuar germat tona të ABC-së në çdo vend, edhe në ato vende që sot nuk i kemi kufijtë tanë. Edhe tek ata shqiptarë, të cilët sot janë emigrantë, pastrojnë rrugët e botës, por ndihen krenarë dhe janë krenarë për vlerat që ata përfaqësojnë. Prandaj, mos ndaloni me rrjetet sociale. Mos ndaloni duke shkruar dhe duke thurur vargje për vendin tuaj. Mos ndaloni duke dashur flamurin tuaj dhe librin. Pa librin dhe pa dijen nuk kemi të ardhme.

Prandaj ju ftoj të gjithëve ditën e shtunë, në orën 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të protestojmë me prezencën tonë, për t’i thënë të gjithë atyre që nuk e duan Shqipërinë, që e konsiderojnë atë si një magazinë apo varrezë plehrash që Shqipëria ka zot, ka zot studentët, ka zot rininë shqiptare. Ata mund të duan ta dhunojnë atë, por ju nuk do ta lejoni, sepse ju jeni e ardhmja dhe krenaria e Shqipërisë. Dhe ju e keni shansin për ta ndërtuar dhe çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Kjo klasë politike sot është e dështuar Në 27 vite prodhoi vetëm konflikt, prodhoi vetëm demagogji, benefite për të tjerët. Ka ardhur koha që t’i merrni ju vetë shanset në dorë dhe t’i tregoni kësaj klase politike të kalbur, të blerë, të paguar, që e ardhmja është e juaja dhe jo e politikanëve.

Ju uroj gjithë të mirat e kësaj bote. Zoti iu ruajtë ju dhe gjithë shqiptarët, sepse ne kemi mëkatet tona mbi supe dhe unë nuk do dëshiroja kurrë që mëkatet e mia t’ia kaloja fëmijëve të mi. Prandaj, luftoni dhe mos ndaloni për shkollat tuaja, për universitetet tuaja dhe të ardhmen tuaj.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane