SARANDË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi  është ndalur në qytetin e Sarandës, ku ka prezantuar kandidatët për deputet. Në fjalën e saj, kryetarja e LSI-së nuk ka nguruar që të risjellë deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se “të merren punëtorë nga Bangladeshi”, teksa ishte në një fasoneri.

“Ta çojmë Ramën në Bangladesh, dhe të mbajmë shqiptarët, t’u japim shansin që të punojnë, të arsimohen sepse shanset e mundësitë janë pa fund”, tha Kryemadhi.

Nisur nga fakti që ky takim është mbajtur në ditën e Pashkëve, ajo ka pasur edhe një urim për besimtarët, ku nuk kanë munguar edhe mesazhet politike.

”Ringjalla do të sjellë dhe ringitje të shqiptarëve, se na ka zënë frikë me fjalën rilindje, por do të sjellin atë Shqipëri që shqiptarët kanë ëndërruar, për një Shqipëri Europiane”, përfundoi numri një i LSI-së në Sarandë.