Teksa në Sheshin “Skënderbej” kryesocialisti  Edi Rama zhvillonte mitingun përmbyllës për Tiranën, LSI zgjodhi sheshin “Nënë Tereza” për të mbyllur fushatën.

Kryetarja Monika Kryemadhi e përqëndroi fjalën e saj në akuzat ndaj shefit të qeverisë, për të cilin tha se është braktisur nga socialistët. Ajo u kërkoi shqiptarëve të votojnë LSI për të shembur kështjellën e krimit.  Kryetarja e Lëvizjes Socialiste tha se këto dy ditë duhet të trokisni derë më derë që të qytetarët të votojnë LSI-në.

'Motra dhe vëllezër, në këtë shesh që mban emrin e të shenjtës Nënë Tereza e bekoftë LSI-në, bekoftë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë, e bekoftë Shqipërinë.
Motra dhe vëllezër, përkrahës të LSI në qytetin e Tiranës dhe të gjithë ju miqtë e mi, ekipi fitues i LSI, 153 kandidatët, 153 heronj, të cilët përballen me balozin që po ngordh çdo minuta dhe sekondë, i cili numëron minutat e tij duke urryer të rinjtë dhe të rejat shqiptarë, por ju jepini fund më 25 prill asaj që ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët.  Në do t’i japim shqiptarëve atë mundësi që Edi Rama ua mori. Ne do t’u japim shqiptarëve mundësinë për të jetuar në Shqipëri si qytetarë europianë, me punë të mirëpaguar, ne do t’u japim shqiptarëve mundësi për të pasur një shëndetësi të mirë dhe jo me 100 standarde sipas Edi Ramës. Por për të pasur një shëndetësi të vërtetë, një shëndetësi ku qytetarët të vaksinohen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme si një qytetar europian dhe jo si një popull eksperimental, që Edi Rama kërkon të trajtojë shqiptarët. 

Ne do t’u japim shqiptarëve një arsim cilësor, ku fëmijët e familjeve shqiptare të kenë mundësi të shkollohen me mësues me dinjitet dhe jo me militantë politikë, të shkollohen në shkolla cilësore dhe me  një arsim cilësor, në mënyrë të tillë që studentët tanë të konkurrojnë në tregun e punës me dinjitet dhe me diploma cilësore, jo me kartonë të cilat ia ndërron ngjyrat Edi Rama sipas ëndrrave të tij. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri ku politikanët nuk shikohen si mashtrues, por ne do të ndërtojmë një Shqipëri ku politikanët të jenë ata që të mbajnë fjalën, ashtu si LSI-ja e mban fjalën, ashtu si të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë luftojnë për një Shqipëri europiane.'- tha Kryemadhi.