VORË- Pas kryedemokratit, Lulzim Basha, edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi sulmon Reformën në Drejtësi. Nga Vora, në takimin e banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, Kryemadhi u shpreh kjo Reformë është bërë për t'i shërbyer kryeministrit Edi Rama. "Nuk besoj te reforma në drejtësi se ka ardhur për të caktuar gjyqtarët e Ramës e Engjëll Agaçit", tha Kryemadhi.

Projekti i rindërtimit vetëm në 3D, tha kryetarja e LSI-së, në takimin me disa nga banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Vorë. Pa maska dhe e pa distancë të ruajtur, Kryemadhi u "qau" hallin banorëve të cilët ankohen se nuk kanë përfituar asgjë, teksa ka hedhur akuza për kryeministrin Edi Rama, si edhe i doli në mbrojtje presidentit Ilir Meta, bashkëshortit të saj.

"Po si nuk u ngop ky njeri detin po, naftën, po, pronat po. S'do marrë asgjë me vete. Tani që është President Meta, do të grabis Kushtetutën, po Meta nuk po e lë. Si s'u ngop Rama në pushtet që në 98 pa zbritur asnjë sekondë", tha Kryemadhi.

Më herët, Kryemadhi ka qenë në Kombinat në takimin me banorët të prekur nga tërmeti ku u premtoi banorëve që kanë pësuar dëme nga tërmeti, se nuk do lejojë që t'u tjetërsohet prona nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Edhe atje, kryetarja e LSI-së, u shfaq pa maskë.