LSI ishte partia që pësoi humbjen më të thellë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke marrë vetëm 4 mandate, nga 19 që kishte në zgjedhjet e kalaruar. Pas humbjes vetë Kryemadhi mori përgjegjësitë dhe më pas pasoi një heshtje e gjatë që u  lexua si një reflektim i vetë partisë. Heshtja ‘u thye’ pasi Basha drejtoi gishtin nga Ilir Meta duke thënë se ai shkallomoi fushatën dhe se ishte pjesë e trekëndëshit të së keqe, trekëndëshit Bermuda.  

Kaq ka mjaftuar që Monika Kryemadhi t’i vë vulën faktit se bashkëpunimi i tyre opozita nuk ekzistonte më dhe se koalicioni i tyre parazgjedhor nuk ka qenë i sinqertë.

Edhe sot nga Durrësi, Kryemadhi ia hodhi fajin Bashës se ka bërë marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi me Ramën duke i mohuar mandatin LSI-së në Durrës.

Kryemadhi tha se kjo është bërë pas dhe gjatë votimit si dhe gjatë numërimit të votave.

“Rikthehem me kënaqësi në takim me ekipin e Durrësit, pas një analize të plotë që kemi zhvilluar, mbi arsyet dhe pasojat e masakrës zgjedhore të 25 Prillit.  Mandati i përfaqësimit në Kuvend, edhe pse ishte shprehur qartë nga qytetarët në kutitë e votimit, i’u mohua LSI-së në Durrës prej marrëveshjes së fshehtë të bashkëpunimit, që ekzistonte mes qeverisë dhe shtojcës së saj në radhët e opozitës së bashkuar.  Kjo është bërë e dukshme para, gjatë votimit, si dhe në çdo tavolinë të numërimit, ku interesi primar i bandës së inceneratorëve qeveri-opozitë, ishte mandati i kryeministrit në Durrës dhe vijimi i mandatit qeverisës. Ne po ringrihemi më të fortë dhe të vendosur, e bashkë me qytetarët durrsak, me gratë, vajzat dhe të rinjtë energjik, do të përfaqësojmë siç duhet interesat e çdo banori të këtij qyteti të mrekullueshëm. Misioni për shtëpinë tonë të përbashkët, vijon dhe rëndësia e tij është sot më i madh se kurrë” shkruan Kryemadhi.